Basha ndërkombëtarëve: Pse heshtni? Heshtja ju bën bashkëfajtorë të Ramës

Basha ndërkombëtarëve: Pse heshtni? Heshtja ju bën bashkëfajtorë të Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot Kryeministrin Rama për grabitjen e milionave euro përmes projektit të paligjshëm që prish shtëpitë e banorëve në Unazën e re.

Zoti Basha po ashtu, kritikoi organizatat  ndërkombëtarët, të cilat harxhojnë dhjetra miliona euro çdo vit për forcimin e demokracisë dhe zbatimit të ligjit dhe përmirësimit të qeverisë dhe ndërkohë rrinë të heshtura përballë shkeljeve të hapura ndaj ligjit, autokracisë dhe korrupsionit të qeverisë Rama.

Në një deklaratë për median, ndër të tjera Zoti Basha deklaroi:

“Afera e Unazës së Madhe është një vjedhje e hapur dhe e negociuar direkt nga Edi Rama në dy kompenentë: Nga rrëmbimi i taksave tuaja dhe rrëmbimi i pronave të gati 317 familjeve që do të prishen në kundërshtim me ligjin.

Le ta nisim me vjedhjen rekord, 2 mijë euro për 1 centimetër të kësaj rruge. Ky është çmimi me të cilin Edi Rama po vjedh paratë tuaja. Si po e bën këtë?

Së pari e gjithë skema e tenderimit është korruptive, nuk ka pasur garë. Një projekt është adaptuar nga ARRSH, e cila gjoja ka hapur tender dhe në fund mbetet e vetmja ofertë. Shkelet çdo ligj dhe ligji i parë që shkelet është ligji i prokurimeve.

Kjo nuk mund të ndodhë vetëm me kokën e drejtorit të ARRSH-së, i cili do japë llogari para ligjit. Kjo ndodh sepse në vjedhje është përfshirë Edi Rama. Hajduti që ka shkelur ligjin e prokurimeve është Edi Rama.

Kjo shumë është rekord dhe për Europën dhe ndoshta dhe SHBA-të ku çmimet e autostradave janë nga 5 deri në 8 herë më të ulëta. Ky është një projekt megavjedhje, megahajdutërie me Edi Ramën autori.

Afera është e Edi Ramës, është negociuar drejtpërdrejt nga Edi Rama. Përbëhet nga dy komponentë, rrëmbimi i taksave dhe rrëmbimi i pronës. Çdo ligj i mundshëm është shkelur. E gjithë skema e prokuroprimit, e tenderimit është korruptive.

Një mesazh kam për të gjithë ata që me heshtjen e tyre apo avokatin që i bëjnë vjedhjes së Unazës së Madhe bashkëpunojnë me krimin dhe vjedhjen. Bashkëpunimin me krimin dhe vjedhjen,njerëzit nuk do t’ua falin.

Kam një pyetje për organizatat ndërkombëtare që financohen me paratë e taksapaguesve të Europës dhe gjithë botës, të cilët lejojnë vjedhjen e hapur duke shkelur çdo standard të mirëqenë të mirëqeverisjes dhe të shtetit ligjor.

Ku jeni? Për çfarë paguheni? Për çfarë pune jeni këtu? Për të bërë pasarela, për të ngrënë e të pirë në restorante të shtrenjta, për të na treguar se sa e mirë është cilësia e verës shqiptare!?

Ja ku e keni mirëqeverisjen, reformën në drejtësi. Një kryeministër harbut, hajdut, që shkel kushtetutë e shkel ligjin. Pse heshtni? Heshtja ju bën bashkëfajtor dhe të pabesueshëm në sytë e shqiptarëve!”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>