Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi sot Himarën, ku bisedoi me qytetarët për krizën ekonomike e politike në vend.
Zoti Basha u shpreh se Bashkia Himarë është pasqyra më e mirë e krizës ku ndodhet Shqipëria sot, ku dallohet qartë grabitja e pronave, hajdutëria e hapur qeverisë, paligjshmëria, shkatërrimi i sipërmarrjes së vogël e të mesme, mungesa totale e vizionit për zhvillimin ekonomik, në veçanti në fushën e turizmit apo të shfrytëzimit të detit dhe, mbi të gjitha, mungesa totale e çdo lloj përkujdesjeje ndaj intereresit qytetar.
“Interesi publik është i pari që sakrifikohet për interesat e Edi Ramës dhe një grushti njerëzish, me të cilët ka kapur dhe ka mbajtur pushtetin gjithë këto vite”, u shpreh Lulzim Basha.
Duke folur për zgjedhjet e 30 qershorit Basha tha se mospjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje ishte përgjigjia më e mirë ndaj kryeministrit Rama:
“Të gjitha sondazhet na nxjerrin forcë fituese, e nxjerrin opozitën shumicë qeverisëse, po sondazhi më i rëndësishëm ishte ai i 30 qershorit, ku 85 për qind e qytetarëve e refuzuan në mënyrë masive regjimin. Kjo është shumica ‘Rama ik’.”