Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot nga Elbasani se do të vazhdojë betejën për të bashkuar sa më shumë shqiptarë për të sjellë ndryshimin.
Basha tha se nuk ka rrugë tjetër për të rrëzuar atë që ai e quan ‘regjim’ ndërsa shtoi se kjo do të kërkojë edhe më shumë sakrefica.
“Jam i vetëdijshëm që ky vazhdim i betejës do ta kërkojë edhe më shumë sakrifica, por rrugë tjetër nuk ka…Do ta vazhdojmë atë që bashkë nisëm dhe që është ndalur përkohësisht: bashkimin e madh të shqiptarëve për ndryshim”, tha Basha.
Për kreun e demokratëve, në Elbasan ndodhi përballja më e fortë midis “botës së qytetarisë, […] me botën e errët që ka bërë bashkë pushtetin me bandat e krimit të organizuar”.
Basha akuzoi strukturat shtetërore se kanë ndihmuar bandat në Elbasan për të blerë vota ndërsa tha ndër të tjera se ato i kanë vendosur në kokë pistoletat “drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit”.
“…kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit”, tha kryedemokrati.
Ai falenderoi ata qytetarë të Elbasanit që votuan PD në zgjedhjet e 25 prillit dhe theksoi se nuk do të ketë bashkëpunim mes tij dhe kryeministrit Rama.
“E vetmja rrugë për të çliruar Elbasanin dhe qytetarinë e Elbasanit, për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është ajo e bashkëpunimit me regjimin Rama-Doshi, por e bashkimit e të gjithë forcave”, deklaroi Basha.
Kryedemokrati tha se bashkëpunimi i shtetit me krimin e organizuar e ka kthyer tashmë Elbasanin në kryeqytetin e krimit në Shqipëri.