Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka lëshuar një deklarate në publik në të cilën akuzon Edi Ramën se për të mbrojtur pushtetin është i gatshëm të djegë Shqipërinë dhe ka treguar se shqiptarët nuk do ti lejojnë përpjekjet e tij.
Basha denoncoi planin Edi Ramës për të ngjallur panik dhe kërcënime për përplasje civile.
Edi Rama ka javë që bredh nëpër Shqipëri duke ngjallur panik e duke kërcënuar sa me djegie të vendit dhe sa me burgosje të të gjithë opozitës.
Ai pohoi se këto plane të Kryeministrit do të dështojnë, duke thënë se:
Kam një lajm të keq për të: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet.
Kryeopozitari foli për burgosjet e shumta politike duke i sjellë ato si shembull se represioni nuk i zbeh përpjekjet e opozitës dhe qytetarëve kundër qeverisjes së Ramës. Duke i bërë jehonë rasteve të fundit që Edi Rama është dashur të mbrohet nga forca të shumta policie për tu mbrojtur nga turmat e qytetarëve, Basha tha se:
Këto muaj e fundit Rama ka ndaluar dhe arrestuar qindra qytetarë dhe opozitarë, së fundi drejtuesit e PD së Elbasanit dhe Librazhdit, dhe të gjithë e kanë parë se askush nuk trembet nga kërcënimet dhe veprimet e tij perverse.
Këtë shqiptarët po ja provojnë atij përditë kudo nëpër Shqipëri, të cilën ai tani e viziton nën mbrojtjen e qindra forcave policore, sikur të jetë duke ecur përmes një territori armik dhe jo vendit të tij.
Në fund, Basha u tregua i prerë me ata që ai i quan vegla të verbëra të Edi Ramës, deputet, ministra, policë, prokurorë.
“Fundi i tij dhe i veglave të tij qorre në kuvend, qeveri, polici, prokurori është i pashmangshëm!
Ai e di këtë, prandaj është shpërfytyruar dhe po bën atë që bëjnë kriminelët kur rrethohen: po kërcënon se do të shpërthejë bombën e do t’i hedhë të gjithë në erë.
Dua t’u them të gjithë bashkëqytetarëve të mi se duhet të jenë të sigurtë, asgjë e keqe nuk do të ndodhë: Edi Rama do të ikë dhe të vetmit që do të marrë me vete do të jenë mercenarët e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin”, u shpreh Basha.