Kryetari i PD-së Lulzim Basha theksoi pas takimit me Presidentin Ilir Meta se zgjidhja e vetme për krizën janë zgjedhjet parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë dhe se nuk ka asnjë alibi për mosmbajtjen e tyre sa më shpejt.
Deklaratën Zoti Basha e bëri në një dalje për gazetarët. Ai tha se në takimin me Presidentin opozita u njohë me provat e ndërhyrjes së Kryeministrit në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese (GJK), me qellim kapjen e saj dhe të drejtësisë.
Zoti Basha theksoi se:
Nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë, si rrugëdalja e vetme nga kriza.
Kryetari i PD-së këmbënguli se zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe vendore janë e vetmja zgjidhje për krizën dhe se “nuk mund të ketë asnjë alibi për t’i vonuar ato”.
Për reformën zgjedhore Zoti Basha tha se Kryeministri Rama e kishte refuzuar dialogun dhe propozimin e opozitës për ndërmjetësim ndërkombëtar. Por pavarësisht këtij refuzimi ai tha se deri në fillim të dhjetorit, opozita do të paraqesë propozimin e saj për reformën zgjedhore pavarësisht refuzimit të Kryeministrit për të dialoguar.
Gjatë ditës së sotme, Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore tha se mazhoranca e priste opozitën t’i bashkohej me propozime konkrete në komision. Po sot u vendos që të zgjatej më tej afati i punimeve të komisionit. Por Kryetari i PD-së Basha e cilësoi këtë zgjatje si “tjetër përpjekje për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar”.