“Nuk do të ketë as zgjidhje politike dhe as marrëveshje politike, nëse nuk dalin para drejtësisë ata që kanë vjedhur zgjedhjet.”
Kështu deklaroi Lulzim Basha sot nga selia e PD-së.
“Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave”.
Basha i kujtoi Edi Ramës dhe të gjithë atyre të cilëve po përdoren prej tij për të sulmuar qytetarët, opozitën dhe nxitur vëllavrasjen se do të ndëshkohen.
“Edi Rama nuk do t’ju mbrojë dot më. Në qelinë ku sot është Bardh Spahia do të jetë njëri nga ju nesër. Në qelitë ku ndodhen burra dhe gra protestues, baballarë dhe nëna, të rinj e të reja, do të jeni ju”.
Basha tregoi se skema e vjedhjes së votave është krijuar nga Edi Rama, i cili ka përdorur paratë e drogës për ta financuar dhe mbështetur atë. Për këtë qëllim ai ka krijuar një sipermarrje aksioner, me krimin, bizneset grabitqare dhe politikanët, ku gjithësecili merr fitimet e veta dhe vepron në mënyrë të koordinuar si organizatë kriminale.
Basha u shpreh se:
“Edi Rama ka krijuar, koordinuar, kontrolluar dhe drejtuar skemën e vjedhjes së votave.
Nga përvoja e tij e gjatë e bashkëpunimit me trafikantë, pastrues parash, kriminelë dhe biznesmenë, ai ka fituar aftësinë si të përdorë pushtetin për të koordinuar dhe shkrirë interesat kriminale dhe korruptive me pushtetin politik dhe si ta bëjë pushtetarin të punojë me kriminelin.
Sikurse u pa në Durrës dhe në Dibër, sikurse është parë në gjithë Shqipërinë, sot krimi, qeveria, dhe bizneset grabitqare janë shkrirë në një, janë kthyer në një sipërmarrje të përbashkët aksionere.
Brenda kësaj sipërmarrjeje, secili ka aksionet e veta, detyrat e veta dhe merr pjesën dhe përfitimin e vet. Por të gjithë veprojnë me një qëllim, në mënyrë të koordinuar dhe në bashkëpunim të strukturuar kriminal.
E gjithë kjo skemë është financuar nga paratë e drogës. Kanabizimi i Shqipërisë nga Edi Rama ka patur qëllim të qartë prodhimin e parave për t’i ndarë me pushtetarët dhe për të financur vjedhjen e zgjedhjeve.
Çfarë harmonie, ka mes ministrit, policit, kriminelit dhe biznesmenit.
Po të mos i njohësh zërat nuk i dallot dot se kush është ministri e kush krimineli.
Kush është polici e kush vrasësi.
Kush është deputeti e kush është vrasësi.”