Basha: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor, nuk shkarkohet presidenti

Basha: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor, nuk shkarkohet presidenti

“Nuk do të këtë zgjedhje lokale në 30 qershor. Nuk do ta shkarkojë kush Presidentin e Republikës.”

Kështu deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një konference për shtyp.

Zoti Basha tha se premtimet e kryeministrit Rama për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor dhe për shkarkimin e presidentit Meta janë thjesht “zhurma për të devijuar vëmendjen e qytetarëve, pasi Rama nuk do të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Shullazët, për Çyrbet, për Gjiknurët.”

Sipas Bashës, “Edi Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është de fakto kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, kryepolici, kryedoganieri dhe kryetatimori i Durrësit.”

Për nismën e kryeministrit Rama dhe PS-së për të shkarkuar Presidentin Meta, Zoti Basha u shpreh:

“Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë presidentin? Ilir Ndraxhi, përfaqësuesi politik i bandës së Avdylajave apo Jurgis Çyrbja, përfaqësuesi politik i bandës së Shullazit. Rahman Rraja apo Luan Harusha, përfaqësuesi i bandës së Bajrave, apo Reme Lala përfaqësuese e familjes kriminale Lala? Damian Gjiknunri që donte të pastronte 30 mln euro për llogari të Ramës duke falsifikuar edhe dokumentat e qeverisë amerikane apo Arben Ahmetaj, përfaqësuesi i një klani mafioz të plehrave, apo Taulanti i Begos dhe Toyota Yarsi.”

Basha theksoi se i vetmi institucion që mund të shprehet për shkarkimin e presidentit është Gjykata Kushtetuese, por ajo është shkatërruar nga qeveria Rama.

Kreu i Pd-së deklaroi se beteja e opozitës do të vazhdojë”

Beteja jonë për Shqipërinë si gjithë Evropa vazhdon me vendosmëri, asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin. Në fund të kësaj beteje do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë shqiptarët, do të triumfojë e drejta liria dhe demokracia. Të flasim hapur, do të ketë edhe të humbur.  Por ata janë vetëm një grusht i vogël pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh dhe kriminelësh që sot vendosin për gjithçka dhe marrin gjithçka.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>