
Kryeministri Rama po bëhet gati të shkarkojë kryetaren e komanduar të Bashkisë Durrës, pasi ajo nuk pranon të firmosë kalimin e miliona eurove për inceneratorët. Në vend të saj, Rama do të emërojë deputeten Milva Ekonomi.
Kështu paralajmëroi kreu i PD-së Lulzim Basha, të mërkurën, në një konferencë me gazetarët.
Basha u shpreh se bëhet fjalë për firmosjen e një afere qindra milionëshe:
“Për incineratorët po bëhet gati që ta shkarkojë për herë të pestë apo të 6 kryetaren e Bashkisë së Durrësit, se nuk pranon zonja që nuk ia dimë emrin se i ndërrojnë më shpesh se shefja e kadastrës së Vlorës.
Nuk pranon që të firmosë një aferë qindra milionëshe për të çuar lekë tek incineratori i Tiranës dhe po bëjnë gati Milva Konomin që të japë dorëheqjen si deputete dhe të komandohet atje. Ky është plani.”