Basha paralajmëron zgjedhje në PD: Pushteti buron nga anëtarët

Nga Exit News
Basha paralajmëron zgjedhje në PD: Pushteti buron nga anëtarët

Përfaqësuesit dhe drejtuesit e Partisë Demokratike vendosen nga anëtarët tha sot Lulzim Basha në një takim me strukturat dhe mbështetësit e partisë në Elbasan.

Për herë të parë, Basha u ndal tek zhvillimet brenda PD-së pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Në këtë shtëpi të madhe nuk ka të tepërt, ndaj çdo mendim, ide, kritikë konstruktive duhet të jetë e mirëpritur”, tha Basha.

Ai theksoi se në PD pushteti buron nga anëtarët dhe se janë ata që vendosin në votë përfaqësuesit dhe drejtuesit.

“Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë shumë shpejt.”, deklaroi Basha duke paralajmëruar kështu zhvillimin e zgjedhjeve brenda PD të cilat janë të planifikuar për t’u mbajtur në korrik.

Kryesia e Partisë Demokratike do të zhvillojë sot mbledhje në orën 17:00.

Më pas, në orën 19:00, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar. Kjo do të jetë edhe përballja e parë e kryetarit të PD, Lulzim Basha me kritikët brenda partisë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani dhe një grup anëtarësh të PD kanë kërkuar që Basha të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>