Mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste nuk do të ketë bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 25 prillit, sipas Lulzim Bashës.
Kreu i PD tha në një intervistë në “Syri TV” se ikja e kryeministrit Rama është parakusht për ndryshimin e Shqipërisë dhe se një bashkëqeverisje mes tyre është ide qesharake.
“Domethënë PD, unë dhe opozita e bashkuar, që u përballëm prej ditës së parë me këtë qeverisje, që dogjëm mandatet, që bëmë çdo sakrificë dhe përpjekje për të larguar këtë njeri, do të shkojmë në martesë me një qeveri ilegjitime që ka prodhuar vetëm dështime dhe ka dalë nga martesa me krimin e organizuar? Kjo është përtej qesharakes.”
Basha akuzoi qeverinë Rama se në 7 vite nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe nuk ka sjellë përparim për vendin.
Sa i përket koalicionit me LSI-në Basha nuk dha një përgjigje të qartë nëse dy partitë do garojnë në një listë ose të ndarë në zgjedhjet e 25 prillit por tha se “opozita do të bëjë maksimalizimin e votës së saj” .
“Opozita do të jetë e bashkuar në zgjedhje! Opozita është e bashkuar dhe do të paraqitet e bashkuar për t’i dhënë formë dhe përmbajtje aspiratës së shqiptarëve për ndryshim. Për të ndëshkuar dështimin me emrin Edi Rama. Edhe me sistemin siç ishte para se Edi Rama të fuste duart prapë secili do garonte me listën e vet. Edhe me ndryshimet që ka bërë opozita do të bëjë maksimalizimin e votës së saj me format dhe mënyra që po i çojmë drejtë konkludimit me të gjithë partnerët tanë. Me LSI dhe aleatët e tjerë. Listat janë teknikalitete dhe ne nuk do të lejojmë që shumica e shqiptarëve që e duan ndryshimin të privohen nga e drejta për të votuar.”