Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përshëndeti sot deklaratën e zyrtarëve të Këshillit të Europës (KiE) rreth zgjedhjeve të 30 qershorit.
Përmes një postimi në Twitter, Basha tha se “beteja më jetike sot është për zgjedhje të lira”.
“Përshëndes deklaratën e Misionit të KiE që ritheksoi se në 30/06 nuk pati zgjedhje, se pushteti vendor sot nuk është pluralist, dhe as i qytetarëve. Beteja më jetike sot është për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ti kthyer qytetarëve qeverisjen legjitime qendrore dhe vendore”.
Një ditë më parë, pas vizitës së kryer në Tiranë, përfaqësues të KiE-së vunë në dukje pasojat negative për demokracinë dhe besimin e qytetarëve të 30 qershorit .
“Për fat të keq, zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, por kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vendi”.
Prej datës 4 deri më 6 shkurt, një delegacion i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i KiE-së zhvilloi takime në Tiranë për të parë situatën aktuale të demokracisë vendore në Shqipëri, veçanërisht në sfondin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në 30 qershor 2019.
Delegacioni përbëhej nga Presidenti i Kongresit Anders Knape, Presidenti i Dhomës së Rajoneve, Gunn-Marit Helgesen dhe Presidenti i Dhomës së Autoriteteve Lokale, Xavier Cadoret, realizoi në Tiranë disa takime.
Në një deklaratë të shpërndarë në faqen zyrtare të KiE-së, Knape shprehu nevojën që Shqipëria të ndjekë kursin e reformave.
“Nuk ka demokraci funksionuese në nivelin e shtetit pa demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal”.
Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 u zhvilluan pa opozitën, e cila akuzoi qeverinë se nuk garantonte dot zgjedhje të lira. Presidenti gjithashtu nuk i njeh zgjedhjet vendore, pasi me dekret ai anuloi datën 30 qershor dhe vendosi që ato të zhvilloheshin më 13 tetor, vendim që nuk u zbatua pasi nuk u hodh në Fletoren Zyrtare.
Çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk ka ende kuorumin për ta shqyrtuar dhe vendosur nëse kishte apo jo shkelje në mbajtjen e tyre më 30 qershor.