Kreu i PD-së Lulzim Basha ka premtuar se do të heq tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit kur opozita të vijë në pushtet.
Gjatë një takimi me sipërmarrës të Velipojës, të premten, Basha u shpreh se do të bisedojë për këtë gjë në takimin me kryeministrin e Kosovës Hoti:
‘Sot do të kem një takim me kryeministrin e Kosovës, një nga çështjet që do t’i parashtroj është që të heqim çdo pengesë dhe qytetarët e Kosovës ta kanë sa më të lehtë për të ardhur në plazhet e Shqipërisë.
Taksa e Rrugës së Kombit dhe çmimi i naftës janë dy pengesa. Kur të vijmë në qeveri do të heqim taksën e rrugës së Kombit.’
Basha i premtoi sipërmarrësve dhe heqjen e pjesës më të madhe të taksave për biznesin e vogël:
‘Biznesi i vogël do të ketë vetëm një taksë, 0.5% të xhiros do të jetë taksa për biznesin e vogël që do t’i shkojë buxhetit vendor. Duke ndihmuar sipërmarrjen e vogël ne i kemi dhënë oksigjen pjesës më të madhe të ekonomisë.’