Kryetari i PD-së Lulzim Basha i premtoi naftëtarëve të Ballshit ndëshkim të personave përgjegjës për dështimin e rafinerisë dhe zgjidhje të problemit.
Në një takim me kreun e Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj dhe përfaqësues të saj, në Fier, të martën, Basha u shpreh se:
“Problemi i rafinerisë, në tërësi problemi i naftës shqiptare është një problem politik, është një problem i krijuar nga makutëria e politikanëve për të përfituar bashkë me një grusht dallaveraxhinjsh”.
Ai tha se qeveria e tij do ti japë “fund pandëshkueshmërisë, nga dita e parë e abuzimeve me këtë pasuri e deri ke çdo zyrtarë i qeverisjes sime të ardhshme nuk do të ketë”.
“Këtu para derës së rafinerisë dhe ju them: ua ndjej dhimbjen, ua kuptoj vuajtjen dhe di dhe do tu jap zgjidhje këtyre problemeve për një Ballsh normal, për një Mallakastër të punës dhe për një Shqipëri që punon dhe jeton me djersën e ballit”, shtoi Basha.
Naftëtarët i thanë Bashës se qeveria ka miratuar statusin e naftëtarit por ende nuk po e zbaton.
Ata kërkuan “rivënien në punë e rafinerisë, por me një kusht; të mos ndodhin më të tilla zhgënjime. Është kërkuar garancia edhe nga zoti kryeministër. Nëse kjo rafineri nuk do të ketë të ardhme më mirë le të mbyllet por ne nuk do të falim një gjë që na takon dhe këtu ju shikoj në sy”.