Basha: Prokurorja e Përgjithshme është investim për pushtetin e një njeriu

Basha: Prokurorja e Përgjithshme është investim për pushtetin e një njeriu

“Thirrja ime në këtë fundvit, ndaj çdo shqiptari dhe shqiptare. Mos t’i mbajë sytë nga aeroporti apo trageti, por nga njëri-tjetri. Të bashkohemi në një aleancë vlerash dhe si çdo shoqëri tjetër europiane”. Kështu  iu drejtua shqiptarëve në këtë fund viti,  Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një intervistë për gazetarin Sokol Balla.

Gjatë intervistës zoti Basha foli për ambasadorët e huaj në vend, zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm, dhe krizën ekonomike politike të vendit.

Për ambasadorët e huaj në vend, Zoti Basha tha se nuk i komenton ato por “mosdenoncimi i drogës ishte gabim, mos shkuarja deri në fund e dekriminalizimit ishte gabim”.

“Po të mos e kishin mbyllur sytë dy vite më parë, tre vite më pare [për drogën], Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje. Me gjasa nuk do ta kishte kaq të vështirë për të hapur negociatat me BE”, tha Zoti Basha.

Gjithasht ai tha se mendimi juridik i OPDAT dhe EURALIUS nuk ka asnjë vlerë ligjore.

“Mbështetja e shkeljes së Kushtetutës dhe në vecanti reformës në drejtësi [nga ambasadorët] që është një investim i përbashkët, do të ishte një gabim trashanik. Që do të na çojë në kukulla, në duart e një mazhorance të kapur në flagrancë, në shtrat me krimin”, pohoi kryetari i opozitës.

Ndërsa për emerimin e Prokures së Përgjithshme të Përkohshme, Basha tha se është “një investim për fatin e një njeriu, për pushtetin e një njeriu, për pasurimin e një njeriu dhe një grushti njerëzish në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me reformën në drejtësi, në kundërshtim me aspiratat e të gjithë shqiptarëve për të pasur një vend që shkon drejt normalitetit”.

Kryetari i PD-së u shpreh edhe për krizën e thellë ekonomike, politike dhe morale të vendit. Ai tha se:

Bizneset e ndershme po mbyllen apo blihen me paratë e drogës dhe paratë e drogës diktojnë një axhendë ekonomike nga e cila përfiton vetëm një grusht njerëzish dhe çdokush tjetër vuan.

Sot kemi më pak mjekë për frymë sesa në kohën e komunizmit sepse mjekët po largohen masivisht nga Shqipëria. Sipërmarrja po emigron, po emigron kapitali i sipërmarrjes, po emigron vetë sipërmarrësi.

Më tej Zoti Basha u shpreh edhe për:

Edi Ramën dhe qeverisjen e tij:

[Kryeministri Rama]përmes monopoleve qeveritare sundon ekonominë.

Edi Rama ka kapur çdo pushtet. Ka dorë të hekurt në qeveri, ka dorë të hekurt në Parlament.

[Gjatë qeverisjes së Ramës] Shqipëria është zhytur në një krizë të thellë demokracie, në një krizë të thellë institucionesh dhe në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike e cila nuk mund të zgjidhet, duke pretenduar se në këtë vend funksionojnë institucionet.

Nuk funksionon qeveria si një bashkësi personash me integritet por si një harem personal i kryeministrit.

Të njëjtën gjë mund të themi dhe për Parlamentin, ka kapur kryeprokurorin, është vetë kryeprokuror tani. Ka një dorë të hekurt përsa i përket mediave.

[Edi Rama] Kur nuk ia del dot me gënjeshtra dhe mashtrime të tjera, i vetmi truk i Edi Ramës është, të na barazojë. Thotë, jemi ne, por janë edhe ata.

Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm

Sot kemi një kryeprokuror pa veting, [….] pra, të kapur politikisht nga një parti.

Mbyllen [dosjet e Saimir Tahirit dhe Vangjush Dakos] sepse lidhja e këtyre dy figurave me Edi Ramën, dihet katërcipërisht.

Saimir Tahiri, natyrisht nuk ka vepruar si kokë më vete por lidhet drejtpërdrejtë me njeriun që sot ka çelësat e Kryeministrisë.

OPDAT, EURALIUS dhe ambasadorët e huaj në vend

OPDAT, EURALIUS e kanë gabim. Opinioni i tyre s’ka asnjë vlerë ligjore, ka zero vlerë ligjore dhe nga ana e argumentave, është një gabim trashanik.

Unë nuk komentoj ambasadat dhe ambasadorët, po mund t’iu them se që mosdenoncimi i drogës ishte gabim ,mos shkuarja deri në fund e dekriminalizimit ishte gabim.

[Tymueset në 18 dhjetor] alarmi për miqtë tanë ndërkombëtarë, për të mos mbyllur sytë, sikurse për fat të keq u mbyllën sytë për drogën.

Por po të mos e kishin bërë këtë dy vite më parë, tre vite më parë, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje. Me gjasa nuk do ta kishte kaq të vështirë për të hapur negociatat me BE.

Censurimin e medias

Çështja e inceneratorëve, me sa duket të gjitha mediat kryesore kanë marrë urdhër me shkrim dhe me gojë që të mos merren me inceneratorët, një aferë qindra milionë euro, për të cilën në mënyrën më të turpshme çensurohet opozita.

Sa herë që PD, unë personalisht, bashkëpunëtorët e mi kanë komunikime politike për këtë çështje, me dorë të padukshme qeveria e heq këtë lajm nga ekrani i Top Channel, të televizionet e tjera, në çdo televizion zhduket lajmi.

Marrëveshjen me Edi Ramën

Nuk ishte marrëveshja gabimi. Gabimi ishte investimi me një marrëveshje me një person që nuk e njeh marrëveshjen.

Partinë Demokratike

PD ka pasur të drejtë, koha na ka dhënë të drejtë për dekriminalzimin, për luftën kundër drogës, qëndrimin tonë për reformën në drejtësi, për qëndrimin tonë për zgjedhjet.

[Në PD do të zbatohet] demokracia e brendshme përmes zgjedhjeve një anëtar një votë për të gjitha funksionet e rëndësishme përfaqësuese të Partisë Demokratike.

Vlera e shprehjes së lirë të vullnetit do të garantohet njëherë e përgjithmonë në Partinë Demokratike në të gjitha nivelet e përfaqësimit […] kur vjen puna për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në qeverisje qendrore apo qeverisje vendore.

PD e gjen veten partner kryesor të faktorit ndërkombëtar për ndryshimin që po vjen dhe do të vijë pavarësisht përpëlitjeve të fundit të një karteli politiko-kriminal, fati i të cilit është vulosur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>