Basha, qeveria po vepron me vonesë, të mbyllë sa më shpejt fasoneritë

Nga Exit News
Basha, qeveria po vepron me vonesë, të mbyllë sa më shpejt fasoneritë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi të premten qeverinë se po vonon për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Në një deklaratë për mediat, Basha mori për shembull rastin e infektimit me Covid-19 të disa punonjëseve fasonerie në Krujë.

Kryetari i PD-së theksoi se opozita ka kërkuar prej 5 javësh mbylljen e këtij sektori për rrezikun potencial që ka për përhapjen e infeksionit.

“Rasti i përhapjes nga fasoneria e Krujës në dy zona të ndryshme në Kurbin është një këmbanë alarmi.

Opozita e ka patur informacionin e infektimit në fasonerinë e Krujës që dy ditë më parë dhe kemi informuar autoritetet […] Është për të ardhur keq që qeveria vepron me shumë vonesë.

Ajo është e prirur të mohojë dhe pastaj të veprojë.”

Basha këmbënguli se pas këtij rasti nuk ka më kohë për refuzime, por qeveria duhet të urdhërojë mbylljen e fasonerive në të gjithë vendin dhe bashkë me to të gjitha mjediset e punës me grumbullime të mëdha punonjësish.

Kryetari i opozitës i bëri thirrje qeverisë që t’u mundësojë pa vonesa edhe testimin punonjësve të fasonerive ku janë diagnostikuar raste me Covid-19.

Të premten autoritetet shëndetësore raportuan 21 persona të tjerë të infektuar me Covid-19 duke e çuar totalin në 539 të infektuar, prej të cilëve 283 janë shëruar dhe 26 kanë vdekur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>