Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka takuar sot qytetarë dhe punonjës biznesesh në Tiranë. Zoti Basha tha se qytetarët i kanë “respektuar rregullat e higjenës dhe të distancimit social”, por problem mbetet situata ekonomike.
“Janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi. Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listpagesat”, shkruan Zoti Basha në Facebook.
Ai ka akuzuar qeverinë Rama se i ka lënë pa ndihma pjesën më të madhe të qytetarëve. Sipas tij rinisja e aktivitetit ekonomik është e vështirë për shkak të taksave të larta dhe uljes së numrit të blerësve.
“Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare”, shkruan në fund Zoti Basha.