Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor për krizën politike e ekonomike të vendit, si dhe për kushtet e vëna nga Gjermania për hapjen e negociatave.
Në një bisedim me gazetarët, Basha deklaroi:
“Vendi është në krizë të gjithëanshme.
Ekonomia është në kolaps dhe kushtet e Shqipërisë sa vijnë e shtohen. Ishin 5, u bënë 7, tani janë 9.
Nëse do të ishte i vërtetë mashtrimi se këto vende janë kundër zgjerimit, pse i thonë ‘Po’ Maqedonisë dhe Jo shqipërisë? Arsyeja është e thjeshtë. Edi Rama ka dështuar në secilën prej fushave ku është kërkuar progres dhe tani i ikën përgjëgjësisë.
Përgjegjësinë për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave e ka Edi Rama dhe askush tjetër.
Nuk është dështimi i Shqiperisë, nuk është dështim i shqiptarëve. Është dështim i Edi Ramës. Ky njeri në pushtet prej 6 vitesh, vitin e fundit me dekret edhe ministër i Jashtëm, dhe ky dështim ka vetëm vulën e tij përsipër.”
Zoti Basha tha se kushtet e vëna nga bundestagu gjerman përbëjnë “një udhërrëfyes për daljen nga kriza”, por se Rama nuk pranon t’i plotësojë ato:
“Dështimet e Edi Ramës po i paguajnë qytetarët, po i paguan rinia, po i paguajnë pensionistët, fermerët, janë ata, jeni ju të dashur qytetarë.
Është e qartë që atë që premtoi dhe që [Rama] nuk e arriti dot për dy mandate nuk ka shans ta arrijë më.
Ndaj ka ardhur koha të hapë krahun dhe të lejojë një vizion të ri, me rrugë të re dhe mundësi për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka pse të jemi në këtë gjendje, nuk e meritojnë shqiptarët këtë gjendje, nuk e meritojnë shqiptarët këtë.”