Kryetari i opozitës Lulzim Basha kërkoi dje në mbrëmje shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme. I ftuar në emisionin e Arian Çanit, ai tha se qeveria duhet të detyrohet me ligj të ndihmojë bizneset.
Basha kritikoi qeverinë për rreth 22 milionë euro që ajo pagoi të enjten për disa projekte rrugësh ndërkohë që vendi është në krizën e shkaktuar nga epidemia e koronavirusit.
“Qeveria ka para. Ka paguar 22 milionë euro në një ditë për 4 oligarkë dhe i ka dhënë 25 milionë euro shëndetësisë në këtë ditë. Ato 22 milionë euro duhet të kishin shkuar të gjitha për shëndetësinë, për mjekët, apo duhet t’u kishin shkuar për ndihmë familjeve në nevojë, apo për masat që duhen marrë që ekonomia të mos bjerë”, tha Basha.
Kryetari i opozitës mbështeti masat ndaluese të marra nga Kryeministri Rama, po i quajti ato të vonuara.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e distancimit social, për të mbrojtur veten dhe të tjerët.