Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot kryeministrin Rama se duke mos mbajtuar përgjegjësi për moshapjen e negociatave me BE-në, ai po e dëmton rëndë të ardhmen europiane të vendit.
Kjo ishte tema kryesore e takimit të sotëm të zotit Basha me ministrin e Jashtëm austriak Alexander Schallenberg.
Menjëherë pas takimit, Basha deklaroi:
“Ndamë shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë në raport me mosbesimin që kanë krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar kriteret kryesore të hapjes së negociatava.
Rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga absolutisht e gabuar në këtë javë që ka mbetur për marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm për vendin tonë.
Është rruga e njohur e fajësimit të çdokujt tjetër, e sulmeve ndaj bashkimit Europian, ndaj qeverive europiane, ndaj opozitës, Partisë Demokratike, medias, madje dhe qytetarëve, për të hequr vëmendjen dhe përgjegjësinë nga i vetmi përgjegjës i situatës.
Dështimi për herë të katërt ka vetëm një firmë, vetëm një emër: Edi Rama.
Edi Rama po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë dhe për t’i zgjidhur problemet që na mbajnë peng.”
Lulzim Basha tha se PD dhe opozita e bashkuar janë të vendosura të kontribuojnë me propozimeve konkrete për zgjidhjen e krizës dhe reformën zgjedhore:
“Opozita e bashkuar është në krye të detyrës. Propozimi ynë për daljen nga kriza dhe në veçanti propozimi për reformën zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë.
Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që Shqipëria të mos mbetet peng i korrupsionit i lidhjeve të politikës me krimin, i kapjes së shtetit dhe asgjësimit të pushteteve të pavarura, qofshin drejtësia apo media e pavarur, dhe se synimi ynë kryesor është që, përmes zgjidhjes politike, t’u ofrojmë shqiptarëve atë që meritojmë, të dalim nga marshi indietro ku e ka futur ekonominë dhe politikën kjo qeveri e ky kryeministër dhe të ecim përpara.”