Basha: Rama po shkel kushtetutën për të fshehur dosjet e Tahirit e Dakos

Basha: Rama po shkel kushtetutën për të fshehur dosjet e Tahirit e Dakos

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha sqaroi sërish sot se zgjedhja e një kryeprokurori të përkohëshem nuk është kushtetuese dhe njoftoi se opozita nuk do ta njohë kryeprokurorin e zgjedhur në këtë mënyrë.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Zoti Basha deklaroi:

“Kushtetuta nuk lë asnjë hapësirë për periudhë tranzitore apo prokuror të përkohshëm. Zero mundësi, zero hapësirë. Çdo institucion është antikushtetues dhe ka zero vlerë. Vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të marrë vendime që kanë të bëjnë me mandatin e kryeprokurorit. Kandidatët duhet të kenë kaluar vetingun.”

Zoti Basha tha se shkakëtar i këtij “ngërçi” të parashikuar është Edi Rama, që mban peng krijimin e KLP-së, pikërisht për të emëruar në një post kaq të rëndësishëm, dikë të afërt e të besueshëm për të:

“Çfarë kërkojmë ne? Krijimin e KLP. Kush e ka mbajtur peng krijimin e KLP? Është pikërisht dështimi i kandidaturave të shoqërisë civile që e ka mbajtur peng KLP. Përgjegjësi është plotësisht e Edi Ramës dhe ne kemi arsyet të besojmë se është e qëllimshme.

Një vit më parë, Edi Rama ka parashikuar me ligj diçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën, pra, Prokuror të Përkohshëm, që ta diktojë vetëm me votat e tij. Qëllimi është të lirojë nga akuzat Tahirin, Dakon, oficerët e policisë në kërkim, Sejdinin, Gjinkurin, Ahmetajt dhe veten e tij.”

Zoti Basha tha se sipas kushtetutës, duke respektuar parimin e vazhdimësisë së institucioneve, “sa kohë që një prokuror i ri nuk është zgjedhur, prokurori aktual duhet të vazhdojë detyrën ndryshe ai përbën një vepër penale”.

Pyetur nga gazetarët për deklaratat e ambasadorit Lu një ditë më parë, Zoti Basha u shpreh:

“Nuk komentoj dhe skam komentuar asnjëherë ambasadorët e huaj. Nuk e kuptoj dhe dhe imagjinoj që një ambasador i huaj t’i këshilloj Kuvendit që të votojë diçka në shkelje të kushtetutës. Kjo do të ishte thikë pas shpine që do i bëhet Reformës në drejtësi.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>