Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha replikuan në rrjetet sociale rreth paketës kundër krimit të organizuar të pagëzuar nga Kryeministri si “KÇK”.
Kryeministri shigjetoi opozitën, pasi ajo vuri në diskutim kushtetueshmërinë e nismës së qeverisë. Përmes një postimi në Twitter Rama tha se “nuk ishte surprizuar”:
“[Përfaqësuesit e opozitës…] Krimin e kanë mjet politik kundër qeverisë, por s’e kanë pasur kurrë në shënjestrën e tyre! Përkundrazi! E kanë ushqyer e janë ushqyer prej tij!”
Kryetari i PD-së, Basha u përgjigj po në Twitter se në përballjen me krimin Kryeministri “ka frikë” edhe nga nismat e veta ligjore pasi “është i rrethuar nga kriminelë e mafiozë”.
“[…] ai vazhdon t’i mbrojë ata me gjithçka ka në dorë. Edi Rama gënjen […] pretendon se po lufton krimin kur në fakt mishërimi më i qartë i KÇK-së është vetë qeveria e tij.”
Më vonë PD postoi në profilin zyrtar të Faceboook-ut, një video ku krahas zotimeve të Kryeministrit Rama, shfaqte ish-kryebashkiakët Dako, Kajmaku e Roshi, ish-ministrin Tahiri, ish-kandidatin për Bashki të Shkodrës Pjetri dhe kryebashkiakët aktualë Alla, Babani e Ismailaj, të cilët kanë pasur probleme me ligjin.
PD e shoqëroi videon me mbishkrimin se Kryeministri “është kreu i krimit të organizuar” dhe bashkëqeveris me të “duke i dhënë pushtet, tendera, koncesione dhe pasuri publike”.
Propaganda dhe mashtrimet publike nuk e ndryshojnë dot të vërtetën. Edi Rama është kreu i KÇK-së, bashkëqeveris me krimin e organizuar, i jep krimit pushtet politik, tendera, koncesione dhe pasuri publike.
Gepostet von Partia Demokratike e Shqipërisë am Montag, 3. Februar 2020