Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se opozita e bashkuar ka gati propozimet e saj për reformën zgjedhore, të cilat do t’i konsultojë me qytetarët.
Në një intervistë për OraNews, Zoti Basha u shpreh:
“Si opozitë jemi terësisht të fokusuar për të ndërtuar rrugën e daljes nga kjo krizë. Kemi propozimet tona dhe në rrafshin e reformës zgjedhore, përfshirë edhe ndryshimet legjslative.
Pjesa më e madhe janë ato që thotë OSBE/ODIHR, vullneti politik, ndëshkimi i personave që janë kapur duke vjedhur dhe blerë votat në bashkëpunim me krimin, ndërtimi i një administrate zgjedhore që nuk është nën kontrollin qeveritar.
Platforma jonë do të konsultohet me qytetarët dhe grupet e interesit, do të jemi në konsultim të vazhdueshëm dhe me faktorin ndërkombëtar për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë.”
Kreu i opozitës fajësoi kryeministrin Rama jo vetëm për krizën e thellë në vend, por dhe për mosgjetjen e një zgjidhje për këtë situatë:
“Vazhdimisht, ai [Rama] refuzon përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar Shqipërinë të dalë nga kjo krizë e thellë politike, përfaqësuese, kushtetuese dhe ekonomike.
Unë dhe PD kemi dhënë dakordësinë tonë për një proces politik të propozuar nga faktori ndërkombëtar në të cilën PD dhe opozita e bashkuar do të ishin të gatshëm si një trupë e vetme të jepnin kontributin për daljen nga kriza. Refuzuesi i vetëm ka qenë Edi Rama.”
Basha tha se kryeministri Rama “feston hapjen imagjinare të negociatave, ndërkohë që kushtet nga BE-ja shtohen”.
Kjo situatë, sipas tij duhet të marrë fund, dhe opozita është e fokusuar në hartimin e një plani antikrizë:
“Opozita është e angazhuar të paraqesë para faktorit ndërkombëtar, para qytetarëve, por edhe para faktorëve të tjerë politikë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize, planin antikrizë. Ky është tashmë investimi jonë kryesor si opozitë.”
Pyetur për ‘opozitën e re’ në parlament, Zoti Basha tha:
“Ka vetëm një opozitë, opozita politike e vendit. Parlamenti monist me pseudo-komisione dhe pseudo-opozita të financuara, të mbështetura dhe keqpërdorura nga Edi Rama nuk përfaqësojnë asgjë veç veten e tyre.”