Basha: Rotacioni nuk mjafton, duhet t’u garantojmë qytetarëve votën

Nga Gerard Gega
Basha: Rotacioni nuk mjafton, duhet t’u garantojmë qytetarëve votën

Ndryshimi i qeverisë, apo ardhja në pushtet e demokratëve nuk është garanci për qytetarët Shqiptarë se kriza politike nuk do të përsëritet. Kështu është shprehur në një intervistë kryetari i PD-ës Lulzim Basha, i cili këmbëngul se zgjidhja vjen nga reforma e duhur zgjedhore e cila duhet t’u garantojë qytetarëve votën e më pas kryerja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendore.

Në një intervistë për gazetaren e Vizion Plus, Olta Blaceri, si fillim Zoti Basha përmblodhi arsyet se përse dështimi për hapjen e negociatave i faturohet qeverisë dhe si mund të dalë vendi nga kriza politike.

Zoti Basha tha se qeveria ka faj për moshapjen e negociatave sepse:

  • nuk luftoi krimi dhe korrupsionin.
  • minoi ndarjen e pushteteve.
  • nuk dënoi ata që vodhën zgjedhjet e vitit 2016 dhe 2017.

Për daljen nga kriza Kryetari i PD-ës tha se nevojiten zgjedhje të parakohshme qendrore dhe lokale, por të cilat duhen organizuar nga “një qeveri kujdestare”. Për këtë Basha mori si shembull Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se fillimisht duhet gjetur vullneti politik për të ndërmarrë reformën zgjedhore dhe 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman.

Zoti Basha tha se zgjedhjet e parakohshme qendrore dhe lokale duhen sepse:

  • zgjidhet kriza politike.
  • ndalohet kapja e pushteteve.
  • rikthehet legjitimiteti i Parlamentit.
  • rikthehet legjitimiteti i pushtetit vendor.

Sidoqoftë kryetari i demokratëve theksoi se “rotacioni nuk është i mjaftueshëm”. Basha këmbënguli se si fillim u duhet garantuar qytetarëve se procesi zgjedhor nuk do të jetë kurrë më i ngjashëm me të kaluarit. Këtu ai rikujtoi rastet e vjedhjeve dhe manipulimeve të votave:

“Ne duhet t’u garantojmë shqiptarëve, përmes këtyre hapave, që, njëherë e mirë, fati i tyre të jetë në dorën e tyre. Kjo është mënyra europiane, kjo është demokracia europiane. Vetëm kështu shkon drejt Europës. Çdo rrugë tjetër do të vazhdojë të na çojë në të njëjtin përfundim të dështuar, si ai i 18 Tetorit, që është dështimi i katërt i Edi Ramës, është refuzimi i katërt i Edi Ramës. Tani, ka ardhur koha që edhe shqiprarët ta refuzojnë, dhe të punojmë së bashku për një Shqëpëri ndryshe […] të vlerave dhe të standardeve reale europiane, jo në letër, por me vepra dhe në realitet!”

Zoti Basha tha se dialogu me Partinë Socialiste:

  • nuk është përjashtuar asnjëherë.
  • nuk pranohet për propagandë si në vitin 2017.
  • mund të bëhet për reformën zgjedhore, por sipas 5 pikave të propozuara nga PD.
  • pasi të dënohen personat që u kapën nga prokuroria duke vjedhur zgjedhjet.
  • vetëm për një reformë zgjedhore që garanton mospërsëritjen e problemeve të shkuara.

Për reformën zgjedhore Zoti Basha la të kuptohet se demokratët janë gati që ajo të kalojë edhe në formë referendumi prej qytetarëve:

“Ne e dimë që ku ka vullnet politik, këto çështje (problematike) zgjidhen. A zgjidhen me këtë parlament të cunguar dhe jo legjitim, apo zgjidhen me një Asamble Zgjedhore, apo zgjidhen duke u shkuar të gjithë shqiptarëve, duke u thënë “këto janë propozime tona”, duke i lënë shqiptarët të vendosin me referendum, ku ka vullnet ka rrugë.”

I pyetur rreth perceptimit se opozita nuk ka patur mbështetjen e ndërkombëtarëve, Zoti Basha tha se:

“Përgjigja më e mirë ndaj këtij perceptimi të gabuar janë 9 kushtet e Bundestagut, që njohin krizën e thellë politike, që njohin shkaqet e kësaj krize, që janë zgjedhjet e kapura nga krimi dhe korrupsioni, që kërkojnë ndëshkimin e atyre që shkatërruan zgjedhjet, që kërkojnë një reformë zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme zgjedhore, që kërkojnë çuarjen përpara të reformës në drejtësi me Gjykatë Kushtetuese funksionale, me Gjykatë të Lartë funksionale, me SPAK funksional që i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë dhe që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>