Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës Zef Hila si “vendim dhe hakmarrje personale” të Kryeministrit Edi Rama, që sipas Bashës “përdor Këshillin e Ministrave si fasadë” dhe Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj “si mercenar”.
Sipas kryetarit të PD, “nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkakrimin e Zef Hilës”, i cili sipas tij “nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës”.
Basha ripërsëriti qëndrimet e përcjella edhe më herët përmes sekretarit të PD se ajo që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në shkollën Ndre Mjeda të Bushatit “ishte një skenar i organizuar nga Edi Rama me Tom Doshin për të krijuar konflikte” por ndryshe nga Gazmend Bardhi, Basha bëri thirrje që anëtarët, mbështetësit e PD-ës si dhe të gjithë qytetarët “të mos bijnë pre e provokimive dhe e skenarëve kriminalë të Edi Ramës”.