
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sot përmes disa postimeve në Twitter për protestën e studentëve.
“Ndryshimi në arsimin e lartë fillon me shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë dhe dyfishimin e buxhetit të arsimit. Të hiqen paratë e qytetarëve nga koncesionet plaçkitëse të check-up-it, të incineratorëve me pronarë të fshehur, të rrugëve me kosto 10 fish sa në SHBA.
Paratë e projekteve fasadë që pasurojnë Edi Ramën dhe klientët e tij të investohen në arsim. Vetëm 30 milionë euro që Edi Rama tenton të vjedhë me kompanitë guackë mjaftojnë për të ndërtuar një kampus modern për Universitetin e Tiranës, të cilin e studentët e kërkojnë prej vitesh.”– shkroi Zoti Basha.
Mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria kanë 6 ditë që protestojnë kundër vendimit të qeverisë Rama për rritjen e tarifës së Universitetit. Ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të arsimit dhe uljen e tarifave të regjistrimit.