Basha thirrje shqiptarëve të votojnë ndryshimin më 25 Prill: Forca e vërtetë jeni vetëm ju

Nga Exit News
Basha thirrje shqiptarëve të votojnë ndryshimin më 25 Prill: Forca e vërtetë jeni vetëm ju

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u bëri thirrje shqiptarëve që të bëhen bashkë dhe të mbështesin PD “në rrugën për të sjellë ndryshimin”.

“Forca e ndryshimit jeni ju, unë jam vetëm një lajmëtar, më duhet ndihma juaj për të sjellë ndryshimin, së bashku”, tha Basha në fjalimin që mbajti në fushatën hapëse elektorale të enjten në sheshin Nënë Tereza.

“Jam mes jush, sepse ju keni marrë një vendim të rëndësishëm. T’i japim fund tranzicionit shqiptar, e të hapim një faqe të re të historisë moderne e europiane të Shqipërisë. Të mundësojmë që më të mirët e të ndershmit të drejtojnë Shqipërinë. Ka nevojë më shumë se kurrë për punë, nder dhe ndryshim rrënjësor”, tha Basha.

Ai tha se për 8 vite kjo qeveri e ka mbajtur Shqipërinë larg Bashkimit Europian dhe kujtoi se falë PD Shqipëria ka fituar liberalizimin e vizave dhe u bë pjesë e NATO.

Me PD, tha Basha Shqipëria do të jetë pjesë e BE.

Në 25 Prill tha kreu i PD  “fiton Shqipëria”.

“Sepse ne sot, më shumë se kurrë duhet të mbrojmë e vendosim krenarinë të kahershme kombëtare si shqiptarë. Duhet të ndalojmë një orë e më parë këtë varfërim e zbrazje që po i ndodh Shqipërisë. Nënat s’duhet të kërrusen më nga ikja e fëmijëve. Sepse Shqipëria gjithmonë ka qenë kryelartë në shekujt e trazirave të saj”, tha Basha.

Basha u bëri thirrje mbështetëseve të tij  “të ndalim dorën  e atij që zhvat pasuritë e kombit, mendjen e errët që kërkon të mbjellë frikën në zemrat e bashkatdhetarëve”.

“Ata nuk na qeverisin, por i shërbejnë vetes e ortakëve që po rrëmbejnë nëpërmjet akteve grabitqare gjithçka ka ky vend. Ne po zhvillojmë edhe një betejë tjetër, brenda vetes”, tha ai.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>