Lulzim Basha është shprehur se gara për kreun e PD më 13 qershor ka rrezik të sjellë përçarje brenda partisë.
Gjatë takmeve me demokratët në qarkun e Elbasanit, Basha deklaroi se përveç avantazheve, 13 qershori ka si dizavantazh kryesor, “dorëzimin përballë ndokujt që e shikon 25 prillin si fitore të Edi Ramës dhe jo si masakër elektorale”.
Ai i bëri thirrje kandidatëve të tjerë në garë të mos i bien me shkelmë sakreficës së demokratëve të këtyre katër viteve të fundit.
Basha shtoi gjithashtu se 13 qershori është “mundësi të artë për t’i treguar shqiptarëve dhe botës se jemi në këmbë”.
Pas zgjedhjeve, misioni i demokratëve është të “mbajnë gjallë flakën e lirisë dhe të demokracisë”, tha Basha duke përsëritur se nuk e njeh rezultatin e 25 prillit.
Basha denoncoi me emra në Elbasan ata që sipas tij kanë manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.
“Përballë kishim një listë jo të hartuar nga Partia Socialiste, por të hartuar nga Suel Çela, të hartuar nga bandat e krimit të organizuar anembanë qarkut, të hartuar nga Aqif Rakipi e të vulosur nga kryebanditi i Elbasanit, Taulant Balla”, deklaroi Basha.
Kreu i PD u ndal gjithashtu tek aleatët e Shqipërisë duke thënë se do t’i bindë ata “për një platformë për kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”.