Këshilli i Sigurisë u mblodh sërish sot. Në këtë mbledhje morrën pjesë anëtarët e Këshillit, Kryeministri Rama, Presidenti Meta.
Me ftësë të Presidentit ka marrë pjesë, për të dytë herë edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha ndonëse ai nuk është anëtarë i Këshillit të Sigurisë.
Kjo është hera e dytë në pak javë që Presidenti Meta thërret Këshillin, i cili është një organ këshillues i Presidentit dhe nuk ka asnjë kompetencë vendim-marrëse.
Në mbledhjen e radhës u diskutua për situatën e koronaviruit në përgjithësi, për masat ekonomike, zhvillimin e procesit arsimor, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Kryeministri Rama ka vlerësuar frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në këtë mbledhjen. Ai shprehu sërish dëshirën se ky komunikim pozitiv në mbledhjet me dyer të mbyllura të vazhdojë edhe në komunikimin public mes politikanëve
“Mbledhje e gjatë por e dobishme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe një shkëmbim i hapur opinionesh me Presidentin e Republikës & kryetarin e PD për hapjen graduale të aktivitetit në javët në vijim! Sikur komunikimi publik të ishte kaq pozitiv, pollitika do ishte shumë ndryshe”, tha Kryeministri.
Edhe Presidenti Meta lëvdoi frymën e bashkëpunimin në mbledhje duke thënë se “sa më efikas të jetë ky bashkëpunim, aq më shpejt do t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës plot gjallëri”.
Gjithashtu edhe Zoti Basha tha se i ka kërkuar qeverisë të rrisë numrin e testimeve dhe të mbështesë familjet në nevojë. Ai tha se “energjitë e qeverise duhet të shkojnë për të lehtësuar krizën, dhe jo për sulme politike”.