Bashkëpunimi PS-LSI në këshill bashkiak kundër qytetarëve? Jo diçka e re

Bashkëpunimi PS-LSI në këshill bashkiak kundër qytetarëve? Jo diçka e re

Miratimi i rritjes së çmimit të ujit të pijshëm dhe dhënies me koncesion ndërtimin e shkollave në Tiranë, dje në Këshillin Bashkiak, në kundërshtim me ligjin dhe interesin e qytetarëve, nuk është i pari vendim që është marrë si pasojë e një bashkëpunimi PS-LSI.

Në dhjetor 2015, kur Kryebashkiaku Veliaj kishte vetëm pak muaj në pushtet, propozoi projektvendimin e parë që shkaktoi reagim masiv të qytetarëve: rritja e çmimit të biletës së urbanit nga 30 në 40 lekë. Pavarësisht protestave të qytetarëve dhe kundërshtimit të këshilltarëve të PD-së, rritja e çmimit u miratua në fund të një seance të gjatë debatesh, me votat e këshilltarëve të PS e LSI.

Në po të njëjtën mbledhje, po me votat e PS e LSI e kundërshtimet e opozitës, u miratua dhe paketa fiskale dhe buxheti i  vitit 2016, ku ndër të tjera përfshihej dhe rritja e taksave për bizneset që përdornin hapësira publike. E miratuar pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, kjo paketë fiskale u ndryshua pak muaj më vonë, pas protestave të sipërmarrësve të vegjël që prekeshin nga rritja e taksave.

Një vit më vonë, në ditët e fundit të 2016-ës, Këshilli Bashkiak, sërish vetëm me votat e PS e LSI, miratuan planin urbanistik të Tiranës në shkelje të plotë të procedurave dhe në mungesë të transparencës.

Në tetor 2016, pas debateve të shumta në Këshill, këshilltarët e djathtë u larguan, ndërsa PS e LSI votoi së bashku dhënien e 22 mijë metra për një afat përdorimi 25 vjeçar shoqërisë Eco-Tirana – shoqëri aksione që  menaxhon mbledhjen e plehrave në Tiranë, – kontratë nga e cila Bashkia Tiranë nuk do të marrë asnjë përfitim.

Më pas në qershor 2017, sërish në bashkëpunim me këshilltarët e LSI, Kreybashkiaku Veliaj miratoi kalimin e vendimmarrjes nga Këshilli Bashkiak tek Kryetari i Bashkisë për kompaninë Eco-Tirana, vendim ky që i lejon kryebashkiakut Veliaj të marrë çdo vendim mbi EcoTirana—përfshi aktivitetin, shpenzimet dhe investimet e kompanisë— pa patur nevojë të konsultohet apo të bëjë transparencë përpara Këshillit Bashkiak. Ky vendim madje lejon Zotin Veliaj të vendosë vetë për ndërtimin e inceneratorëve për djegien e mbetjeve, aktivitet iparashikuar në statutin e Eco-Tiranës.

Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, drejtues të lartë të LSI deklaruan se ata do të jenë përkrah popullit, në opozitë, madje u shprehën se do të bënin opozitën e vërtetë që prej kaq vitesh i kishte munguar vendit.

Por pavarësisht se për mbledhjen e djeshme, kryetarja e re e LSI Monika Kryemadhi deklaroi se LSI është distancuar nga dy këshilltarët Genta Mezini dhe Agim Kraja, dy kandidatët që bënë të mundur arritjen e shumicës pres 31 votash, duket se LSI do të jetë edhe në vitet në vazhdim, një patericë në shërbim të Kryebashkiakut Veliaj, e cila do të lejojë që prej saj “të rrjedhin” fiks aq vota sa nevojiten për të miratuar çdo propozim të Veliajt.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>