Bashkia e Gjirokasterit ka dështuar të sigurojë informacionin e kërkuar mbi projektin e propozuar të Bypass-it.
Më 23 mars, Exit i dërgoi bashkisë një kërkesë për informim, duke i bërë një seri pyetjesh në lidhje me projektin në fjalë.
Ndër pyetjet, Exit kërkoi planin e propozuar të projektit dhe dokumente të tjera mbështetëse.
Përgjigja e bashkisë ishte se i dispononte këto raporte, por ndërkohë nuk ia dërguan Exit Neës sipas kërkesës.
Kërkesa që ato të dërgoheshin, ngeli pa përgjigje.
Ndërkohë, Exit bisedoi me nënkryetaren e bashkisë Jorida Muho, e cila përsëriti disa herë se me kënaqësi do të përgatiste dhe dërgonte dokumentet e kërkuara.
Ajo shtoi se duhet të ketë qenë një gabim i anëtarit të stafit, që iu përgjigj kërkesës fillestare.
Pas një jave, dokumentet ende nuk ishin dërguar.
Exit dërgoi një rikujtesë, por dokumentet nuk erdhën.
Ditën tjetër, një tjetër rikujtesë iu dërgua nënkryetares së bashkisë, e cila kërkoi që kërkesë tjetër për informim të përsëritej.
“A mund të dërgoni një kërkesë të re, ku të kërkoni një kopje dhe unë do të përgatis informacionin e kërkuar?” pyeti ajo.
Exit shpjegoi se kërkesa ishte dërguar tashmë, por mesazhi u injorua.
Ndërkohë, bashkia më 2 prill tha se puna në bajpas ishte ndalur dhe asgjë nuk do të bëhej deri në vendimin përfundimtar.
Exit i dërgoi nënkryetares së bashkisë dy fotografi të bëra atë ditë, që tregonin punëtorët duke punuar.
Nënkryetarja i Bashkisë pretendoi se është “kohë zgjedhjesh, nuk dihet nëse fotot janë të vërteta, dikush mund të ketë shkuar aty dhe t’i ketë shkrepur“, duke sugjeruar se fotot ishin inskenuar.
Më pas, ajo pretendoi se punëtorët ishin atje “thjesht për të sistemuar” dhe ajo do të shkonte të kontrollonte situatën dhe do të raportonte mbrapsht. Nuk ndodhi.
Në lidhje me çështjen nëse bashkia kërkoi leje nga UNESCO, Muho ngulmoi se kishte marr leje.
Ajo ndau një foto të një nënshkrimi me email nga një “zyrtar i ri profesionist” i UNESCO-s, me të cilin ajo tha se plani ishte ndarë dhe diskutuar.
Exit më herët ka folur me drejtorin e Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe Shefin e UNESCO-s për Evropën dhe Amerikën e Veriut, të cilët thanë se ishin njoftuar për fillimin e projektit dhe punën e vazhdueshme, nga “shoqëria civile”.
Ata shtuan se kishin kontaktuar qeverinë shqiptare, por ende nuk kishin marrë një përgjigje.