Bashkia Fier, 460 mijë euro për një treg bosh

Bashkia Fier, 460 mijë euro për një treg bosh

I ndërtuar në 2017-ën si pjesë e Rilindjes Urbane, tregu bujqësor e blegtoral në Fier është sot i boshatisur dhe i kushton qytetarëve të Fierit mijëra euro çdo muaj.

Tregu është planifikuar për 102 tregtarë, por asnjë ditë nuk është mbushur me tregtarë e blerës sepse është ndërtuar jashtë qytetit, buzë rrugës nacionale, Levan-Fier, ku qytetarët nuk shkojnë.

Tenderimi dhe ndërtimi i tregut

Në vitin 2016, Bashkia Fier, në bashkëpunim me Fondin e Zhvillimit të Rajoneve (FZHR). planifikoi ndërtimin e një tregu bujqësor e blegtoral për të larguar tregtarët e vegjël nga tregjet e vogla mes lagjeve.

Për këtë, në shtator 2016, ajo hapi tenderin me fond limit prej 460 mijë eurosh dhe nisi procedruat për gjetjen e truallit.

Në tender morën pjesën 3 kompani: Ndregjoni shpk; Boshnjaku shpk; Alb Star shpk dhe fituese u shpall kjo e fundit. Oferta e Alb-Starit, 457 mijë euro pa TVSH, ose sa 99,5 për qind e fondit limit, ishte oferta më e lartë.

Për truallin, Bashkia Fier gjeti një toke buzë rrugës Levan-Fier, me sipërfaqe 3466 metra katrorë dhe ra dakord për marrjen e saj me qira për 10 vjet, me vlerën 100 lekë për metër katrorë, pra 346 600 lekë (2900 euro) në muaj.

Tregtarët, që deri në ato momente, tregtonin brenda lagjeve, shprehen se nuk janë konsultuar nga bashkia për këtë projekt, për nevojat e tyre, e veçanërisht për vend-ndodhjen.

Dështimi i tregut

Me inagurimin e tregut të ri, në korrik 2017, nisën problemet e para të tregtarëve: fillimisht u mbush me tregarë një pjesë e mirë e vendeve, por pas 1 jave shumica e tyre u larguan. Kjo pasi në treg nuk kishte bleres mjaftueshëm.

Sot në treg numërohen rreth 10 tregtarë, të  cilët shprehen të zhgënjyer me projektin e qeverisë dhe tregojnë se vazhdojnë të sheshin aty vetëm se nuk duan të turpërohen nga policët bashkiakë që i largojnë nga tregjet brenda lagjeve.

“Ky treg dështoi sepse është larg qytetit. Ka dyqane afër dhe për qytetarin është më mirë 10 lekë më shumë, por më afër, se të paguajë urbanin e të vijë këtu”, u shpreh një prej tregtarëve për gazetaren Fatmira Bajrami, në shkroi një reportazh për BIRN.

Po ashtu, në rrugën nacionale pranë tregut mungojnë sinjalistikat për kalimin e këmbësorëve, duke e ulur edhe më shumë mundësinë që qytetarët të vizitojnë tregun.

“Situata është shumë e keqe. Mallin që blejmë e hedhim në kosh. Nuk ka klientë këtu. Tregu është bërë jashtë normave. Do kalojë klienti në xhade, të vëri kokën para rrotave të makinës, që të vijë këtu. Është bërë jashtë qytetit. Ky është vetëm për parkim makinash. Jemi vetëm pesë tregtarë,” u shpreh një tjetër tregtar për Portën Vendore.

Pavarësisht dështimit të projektit dhe kostove të vazhduara të qira dhe mirëmbajtjes nga Bashkia Fier, zyrtarë të bashkisë deklaruan se ‘tregu funksionon normalisht dhe nuk ka asnjë plan për mbylljen e tij.’

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>