Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, nxiti reagime ditën e sotme. Ai zhvilloi një ceremoni përkujtimore për figurën kontraverse të Kajo Karafilit, i konsideruar nga regjimi komunist hero i popullit edhe pse i atribuohen disa vrasje që nuk kishin lidhje me luftën nacional-çlirimtare.
Aktiviteti i Bashkisë Pogradec për nderimin e Karafilit u njoftua në web-faqen e saj dhe në të thuhej se do të mbante fjalim përshëndetës edhe vetë kryebashkiaku Xhakolli.
Pas këtij postimi, reagoi studiuesi Erald Kapri, i cili e konsideroi provokim veprimin e kryebashkiakut:
“[…] [Kryebashkiaku Xhakolli] po shkon përtej imagjinatës duke provokuar rëndë familjet që vuajtën gjysmë shekulli përndjekje e persekutime. Me një krenari gati kriminale, i nxitur nga injoranca, ka vendosur sot të bëjë ceremoni zyrtare ndaj një krimineli të sprovuar lufte, vrasësit me pagesë, Kajo Karafilit.”
Zoti Kapri thekson se përpara zhvillimit të aktiviteteve të tilla, kryebashkiaku Xhekolli duhet të reflektonte për faktin se Karafili është personi që ka vrarë një anëtar të familjes Starova, e njohur për patriotizëm në Pogradec.
“Në 1940, Kajo vrau në mes të qytetit patriotin e njohur Neki Starova. […] Ky krim është shënjuar fort në memorien e çdo pogradecari. […] Në 1940 nuk ishte krijuar partia dhe akoma rezistenca e organizuar. Ndaj, (për kryebashkiakun Xhekolli) mjafton ky rast për t’u tërhequr, ndryshe gjeje një justifikim për gjithë ato familje që kërkojnë ende drejtësi.”
Karafili lindi në janar 1920 në fshatin Bllacë të Pogradecit. Ai lidhet me disa vrasje. Në vitin 1936 vrau Sef Agën, të cilin e akuzonte për vdekjen e të atit. Pas vrasjes u arratis në Jugosllavi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u kthye dhe u angazhua në të tjera vrasje, ku njëra prej tyre ishte ajo e Neki bej Starovës në vitin 1940 në Pogradec.
Më vonë u angazhua me çetën e Myslym Pezës, me mbesën e të cilit u fejua, dhe drejtoi disa aksione në zonat e Shqipërisë së Mesme.
Kajo Karafili u vra më 10 janar 1944. Lajmi i vrasjes u dha në shkurt. Sipas komunistëve ai u vra në luftë, por ka pretendime se atë e vrau Ramazan Habili, ish-anëtar i çetës partizane të Myslym Pezës, të cilit partizanët i kishin djegur shtëpinë për faktin se kishte kaluar me Ballin Kombëtar.
Regjimi komunist e nderoi me tituj të ndryshëm madje në vitin 1974 i kushtoi edhe filmin Shtigje Lufte, me skenar të Safet Kurtit e Skënder Plasarit dhe regji të Piro Milkanit. Në film emri i Kajos është kthyer në Kanan dhe rolin e tij e luan Timo Flloko.