Bashkia Tiranë e papërgatitur për temperaturat e ulëta

Nga Nina Ružička
Bashkia Tiranë e papërgatitur për temperaturat e ulëta

Në javët e fundit, temperaturat në gjithë Shqipërinë ranë nën zero, si rezultat i një të ftohit kontinental ardhur nga Siberia. Këto temperatura të pazakonta e gjetën vendin të papërgatitur për pasojat e tyre. Të paktën 7 persona humbën jetën nga i ftohti.

Tjetër ndodhi e pazakontë ishte bora në Tiranë. Shumë banorë e shijuan dukurinë e rrallë për kryeqytetin.

Tirana zakonisht nuk kalon të tillë dimra me temperatura të ulëta dhe mesa duket bashkia nuk merr masa apo nuk harton plane paraprake për të tilla raste.

Bora dhe ngricat në rrugë shkaktuan probleme të shumta në qytet si vonesa të mëdha në transportin publik, rrugë të bllokuara e deri tek aksidentet. Temperaturat e ulëta dëshmuan edhe njëherë paaftësinë e autoriteteve publike për t’iu përgjigjur emergjencave dhe mos marrjen e masave paraprake.

Ndërsa është e vështirë të dallosh Kryebashkiakun Veliaj me atë të New Yorkut Bill De Blasio për sa i përket retorikës, është shumë e thjeshtë të dallosh mënyrën amatoreske se si qeverisja vendore në Tiranë përballon dëborën dhe ngricat. Të dy kryebashkiakët i kujtuan qytetarëve të bënin kujdes teksa ecnin apo i jepnin makinës në rrugët ende me ngrica. Fatmirësisht në Tiranë reshjet e dëborës nuk zgjatën më shumë se 24 orë, sepse autoritetet publike ishin të papërgatitur të siguronin qarkullim normal nëse moti i keq do të kishte zgjatur.

Sipas regjistrimeve të policisë, vetëm brenda një dite ndodhën të paktën 40 aksidente automobilistike. Ndërsa 78 persona të dëmtuar u paraqitën në spitalin e traumës, tregon doktori Agron Dogjani.

Rrugët e pamirëmbajtura të Tiranës kufizuan lëvizshmërinë, rritën mundësinë për aksidente, rritën kostot për qytetarët, shkaktuan dëmtime fizike tek njezërit dhe plot vonesa në fluturime apo udhëtime rrugore.

Prioriteti kryesor i bashkisë duhet të jetë mirëmbajtja e rrugëve gjatë ditëve me kohë të keqe. Ajo duhet të punojë për t’i bërë rrugët e kalueshme dhe të sigurta gjatë dimrit. Punonjësit e bashkisë mund të përdorin shkrirës kimik për akullin apo të hedhin rërë e kripë para dhe pas ngrirjes së rrugëve. Dhe, pavarësisht pastrimit të disa prej rrugëve kryesore, u vu re qartësisht se bashkia nuk kishte kapacitete për të mirëmbajtur rrugët e qyteteve gjatë një dite me dëbore. Stafi i bashkisë nuk kishte eksperiencën e nevojshme e për më tepër, nuk ishin të pajisur me mjetet e duhura për të pastruar rrugët e për të siguruar lëvizshmërinë normale. Bashkia po ashtu, dështoi në marrjen e masave për të ulur sa më shumë pasojat e temperaturave të ulëta apo për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve me shpejtësi.

Bashkia Tiranë duket se favorizon ndërtimet e reja, rikonstruksionin e rrugëve (po të kemi parasysh se si qyteti është kthyer në një kantier gjigant ndërtimi) më shumë se sa mirëmbajtjen e tyre. Për vitin 2016, në buxhetin e bashkisë ishin parashikuar 6,4 milionë dollarë për shpenzime mirëmbajtjeje, rreth 30 për qind më shumë se në vitin 2015, sipas deklaratave të kryebashkiakut Veliaj më 30 dhjetor 2015. Gjithsesi, edhe një herë tjetër, kryeqyteti u zgjua me rrugë me dëborë e ngricë, me një transport publik pothuaj jofunksional e me aksidente rrugore.

Shërbimi meteorologjik ka bërë të ditur se temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës do të rikthehen sërish në javët në vazhdim. Por, a morën ndonjë mësim autoritetet vendore në Tiranë e më tej? Apo qytetarët duhet të kenë ende frikën e rrugëve të bllokuara e mosfunksionimit të transportit urban, nëse temperaturat e ulëta zgjasin më shumë se 24 orë?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>