Bashkia Tiranë: Gjoba e heqje licence për kompanitë e transportit që nuk nisin punë në 6 korrik

Nga Exit News
Bashkia Tiranë: Gjoba e heqje licence për kompanitë e transportit që nuk nisin punë në 6 korrik

Bashkia Tiranë do të gjobisë dhe më pas do t’i heqë licencën të gjitha kompanive të transportit publik që nuk rinisin punën të hënën, 6 korrik.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku, të premten për Report Tv-në, u shpreh i qartë:

“Transporti duhet të fillojë të hënën, kompanitë që nuk do të fillojnë do të penalizohen në përputhje me ligjin. Nëse dikush nuk ofron shërbimin fillon me gjoba dhe më pas me heqjen e licencave.”

Sipas Maznikut, bashkia Tiranë ka bërë disa lëshime për kompanitë e transportit, për ti lehtësuar atyre rikthimin në punë, por se kompanitë vazhdojnë të kundërshtojnë protokollet e sigurisë:

“Në një situatë të tillë secili nga palët duhet të bëjë pjesën e vet, ne kemi bërë disa hapa, ku është marrë një vendim i këshillit, një pjesë e taksave për shërbimin janë hequr, nuk është gjë e thjeshtë. Dhe me kërkesën tonë, të gjithë njerëzit që ishin pjesë e shërbimit të transportit publik, shoferë, faturino u përfshinë të paga e luftës.

Ka një vendim për rihapjen prej një jave, por si rrjedhojë e protokollit kompanitë kanë shprehur rezerva, pasi pretendojnë se me aq pak njerëz nuk u funksionon koncepti, ka një diskutim që jemi gati ta vazhdojmë, por shërbimi i qytetarëve nuk duhet të ndalohet.”

Fillimisht transporti publik duhet të kishte rifilluar punën në 15 qershor, me 70 për qind të kapacitetit dhe duke respektuar protokollet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë: të gjithë udhëtarët të pajisur me maska dhe të ulur 1,5 metër larg njëri-tjetrit dhe në sedilje diagonale.

Këto masa u kundërshtuan nga kompanitë, të cilat thonë se po të respektohen këto masa, autobuzët funksionojnë me vetëm 25 për qind të kapacitetit dhe shkojnë drejt falimentimit.

Që prej 15 qershorit, shoqatat e transportit kanë protestuar disa herë kundër protokolleve të sigurisë të vendosura nga qeveria.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>