Bashkia Tiranë do t’i japë me koncesion 33-vjeçar kompanisë “Salillari” ndërtimin dhe menaxhimin e terminalit të transportit publik në Tiranë. Terminali do të shërbejë për qëndrimin dhe nisjen e mjeteve të transportit ndërqytetase, autobuzë, furgonë e taksi.
Koncesioni përfshin ndërtimin e terminalit, disa ambienteve tregtare dhe një hoteli, detajet për të cilin ende nuk janë bërë publike, por Scan Tv ka publikuar disa detaje nga kontrata.
Vlera totale e këtij investimi do të jetë rreth 18,8 milionë euro, por nuk dihet ende si është e ndarë kjo kosto midis terminalit publik dhe ambienteve private të “Salillarit”, pra hapësirave tregtare dhe hotelit. Ndërkohë Bashkia Tiranë do t’i vërë në dispozicion koncesionarit një truall prej 85 mijë metra katrorë vendosur përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
Tenderi për këtë koncesion është hapur që prej shtatorit 2016. Kompania fituese do të bënte hartimin e detajuar të projektit, zbatimin e tij dhe ndërtimin e terminalit të ri, si dhe mirëmbajtjen e tij për 33 vite.
Kompania “Salillari” u shpall fituese në konsorcium me kompanitë “Hellas Servis shpk”, “Analysis Computers & Software S.A.” dhe “Klodioda shpk”.
Kontrata mes bashkisë dhe “Salillarit” pritet të miratohet në Këshillin Bashkiak më 27 shtator.
“Salillari” pas ndërtimit, do të mbledhë të gjithë tarifat nga kompanitë e autobuzëve që do të marrin më qera hapësira në këtë terminal për të ndaluar autobuzët, furgonat e taksitë gjatë punës dhe për t’i parkuar ato gjatë orëve të pushimit.
Tarifat pritet të nisin nga 357 lekë për një biletë për taksitë 8+1 vendëshe, ndërsa për autobuzët biletat do të variojnë nga 642 në 1785 lekë. Tarifa të tjera do të paguhen për parkim, por deri më tani ato nuk janë bërë publike. Këto tarifa pritet të reflektohen dhe në rritjen e çmimit të biletave të autobuzëve për qytetarët.
Kompania “Salillari” parashikon të krijojë dhe të ardhura të tjera nga dhënie me qera e ambienteve tregtare dhe hotelit.
Ky është koncesioni i dytë që kompania Salillari merr vetëm në muajt e fundit nga shumica socialiste. Prej disa muajsh “Salillari”, në bashkëpunim me “Kastrati shpk” kanë fituar koncesionin 350 milionë eurosh për mirëmbajten e Rrugës së Kombit për 30 vitet e ardhshme. Që prej 17 shtatorit, kompanitë kanë nisur mbledhjen e tarifave për çdo automjet që kalon në Rrugën e Kombit.