Bashkia Tiranë do t’i japë 1363,5 metër katror tokë publike në Rrugën e Kavajës kompanisë private ‘Startek’ për të ndërtuar një godinë banimi dhe shërbimesh.
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar në mbledhjen e fundit kalimin e pronës publike në pronësi të Startekut.
Në shkëmbim, Bashkia Tiranë do të përfitojë 40 për qind të sipërfaqes së ndërtesës.
Kompania Startek, themeluar në vitin 2012, me pronar Lulëzim Mehmetaj, ka ndërtuar edhe këndin e lojërave në Parkun e Liqenit, projekt i Bashkisë Tiranë, i cili ngjalli protesta nga qytetarët.
Qeveria, gjithashtu, i ka dhënë Startekut statusin e investimit strategjik për një ndërtim vilash në bregdetin e Dhërmiut.
Në vitin 2018, kompania i propozoi bashkisë model bashkëpunimi dhe kërkoi marrjen e pronave në Rrugën e Kavajës, një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, ku çmimet e apartamenteve arrijnë në rreth 1400 euro për metër katror.
Që prej marsit 2018, kur bashkia miratoi vendimin “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”, Bashkia Tiranë mund t’i falë kompanive private pronat publike në këmbim të disa ambienteve apo shërbimeve ndaj bashkisë.
Ky vendim i hap rrugën tjetërsimit të pronave publike në favor të ndërtuesve, përmes kontratave dhe mekanizmave korruptive dhe klienteliste, duke e kthyer Bashkinë Tiranë praktikisht në institucion sekser tokash dhe ndërtimesh.
Dhurimi i tokës publike kompanisë Startek është dëshmi e këtij fakti, që verteton paralajmërimin e Exit News se Bashkia Tiranë do të kthehej në seksere ndërtimesh.