Bashkia Tiranë kthehet në seksere ndërtimesh

Bashkia Tiranë kthehet në seksere ndërtimesh

Bashkia Tiranë ka vendosur të kthehet në një institucion sekser ndërtimesh, duke i dhënë vetes të drejtën të hyjë në negociata me ndërtues privatë për biznese zhvillimi, duke futur në këto biznese tokën publike që ka në pronësi.

Një projektvendim i dërguar nga Erion Veliaj në Këshillin Bashkiak, për miratim këtë të enjte —“Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”— i jep Bashkisë të drejtën të hyjë në marrëveshje zhvillimi me firmat private të ndërtimit, njësoj sikur të ishte ent privat.

Duhet theksuar se projektvendimi është krejtësisht i paligjshëm dhe nuk mbështet në asnjë ligj të vendit, përkundrazi shkel dhe dhunon një sërë ligjesh nga ato që lidhen me pronën publike tek ato të prokurimit.

Duket se projekt-vendimi është bërë për të justifikuar aferën klienteliste dhe korruptive të ndërtesës së Teatrit të ri Kombëtar, përmes së cilës toka publike do t’i jepet një privati në shkëmbim të ndërtimit të ndërtesës. Kryeministri Rama u shpreh, fillimisht, se kjo gjë do të bëhet me ligj të veçantë, pasi ligjet e tanishme e bëjnë të pamundur këtë lloj tjetërsimi. Tashmë ai ka vendosur që të shmangë jo vetëm rrugën ligjore, pro edhe transparencën publike që garantohet nga miratimi i një ligji në Kuvend, duke vendosur të ndërmarrë një nismë të paligjshme për të krijuar “bazën” për tjetërsimin e pronës publike.

Për më tepër, ky vendim i bashkisë i hap rrugën tjetërsimit masiv të pronave publike të Tiranës në favor të ndërtuesve, përmes kontratave dhe mekanizmave korruptivë dhe klientelistë, duke e kthyer Bashkinë Tiranë praktisht në institucion sekser tokash dhe ndërtimesh.

Sipas projektit, çdo firmë ndërtimi, e cila ka lidhur kontratën paraprake me privatët për zhvillimin e një zone të caktuar mund të paraqes kërkesë në Bashki për të zhvilluar edhe pronën publike, në kufi me privaten dhe pastaj Bashkia negocion me privatin për t’u bërë pjesë e zhvillimit duke futur tokën publike. Madje nëse prona publike nuk është në pronësi të bashkisë, por të ndonjë enti tjetër publik, bashkia ka të drejtë të kërkojë transferimin e pronës në favor të saj dhe pastaj bashkia e vendos atë në dispozicion të privatit.

Në sqarimin e projektvendimit thuhet se bashkia do të shqyrtojë çdo rast më vete– njësoj si çdo ent privat—dhe mund të vendosë ose t’ja shesë atë firmës publike ose ta shkëmbejë atë më një pronë, si për shembull sipërfaqe banimi apo tregtare në ndërtesat që do të ngrihen nga privati:

Në rastin konkret, Bashkia Tiranë mund të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me palë private që janë duke zhvilluar ose do të zhvillojnë parcelat kufitare private. Rast pas rasti BT do të vlerësojë shkëmbimin apo një tjetër transaksion në lidhje me të drejtën e zhvillimit të kësaj prone duke pasur parasysh interesin publik dhe vlerën ekonomike të pronës.

Bashkia Tiranë ka në pronësi shumë prona të cilat për shkak të viteve kanë degraduar duke mos u shërbyer më interesit pubik madje duke u kthyer në rrezik për jetën e qytetarëve.

 BT megjithëse ka një buxhet të madh, ka edhe kosto të larta për përballimn e programeve sociale, për familjet e të cilat janë të pastreha.

Në lidhje me mënyrën e negocimit me privatin, projektvendimi sqaron se:

Ndërtuesi duhet të ketë një kontratë të lidhur me pronarët privatë dhe i shpreh interesin Bashkisë për zhvillim edhe për zonat me pronësi publike dhe në marërveshje ndërtuesi do t’i japi bashkisë sipërfaqe ndërtimore me të njëjtëin perqindje në përputhje me vlerat në tregun e lirë

Pjesë e kësaj marrëveshje do të jenë çdo pronë publike në pronësi të bashkisë dhe çdo pronë publike e transferuara nga pusheti qendror në varësi të bashkisë.

Kërkesat do të shqyrtohet nga komisioni i negocimit i cili ngrihet me urdhër të kryetarit dhe ka 5 anëtarë, 2 anëtarë nga drejtoria juridike, 1 anëtarë nga drejtoria e shërbimit të financave dhe 2 anëtarë nga drejtoria e zhvillimit dhe planifikimit të territorit.

Për çdo rast, Bashkia do të marrë jo më pak se 35 përqind të ndërtimit, dhe nese ka godinë mbi të Bashkia do të marrë jo më pak se 50 për qind.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>