Tërmeti me magnitude 6.4 i datës 26 nëntor ka shkaktuar probleme të mëdha në rrethinat e Tiranës. Deri mbrëmjen e së premtes Bashkia Tiranë kishte identifikuar mbi 350 shtëpi dhe rreth 10 pallate të pabanueshme.
Zona si Vaqarri, Peza, Ndroqi, Petrela, Kombinati dhe Kinostudio janë më problematiket. Këtë e tha për Report TV, Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Tiranë, Erind Bejko.
Zoti Bejko u shpreh se Tirana ka zona që nuk kanë shfaqur probleme dhe zona të tjera që kanë shfaqur shumë probleme. Ai u shpreh se zonat problematike janë rrethinat dhe zonat rurale. Bashkia Tiranë ka kryer vëzhgimet paraprake në terren dhe ditën e premte u organizua me ekspertë të ndërtimit për t’i vëzhguar edhe më imtësisht problemet në terren.
Exit.al raportoi se dyshimet paraprake nga Bashkia Tiranë ishin se “mbi 400 pallate janë dëmtuar dhe 20 prej tyre janë të pabanueshme“.
Drejtori i Emergjencave për Tiranën tha mbrëmjen e së premtes se “në përgjithësi në pallatet dhe shtëpitë që nuk është vendosur ende nga ekspertët e ndërtimit nëse janë të pabanueshme, duke parë gjendjen, banorëve u është komunikuar që të strehohen te të afërmit, te një nga 5 qendrat sociale të Bashkisë, apo në hotele”.
Bashkia Tiranë thotë se mbi 350 pallate në Tiranë kërkojnë inspektim më të detajuar. Dy ditët e fundit në terren janë inspektuar mbi 200 prej tyre dhe:
“Një (pallat) në Kinostudio […] 2 pallate të shpallura të pabanueshme në Kombinat. Numri (i pallateve të pabanueshme) mund të shkojë deri në 10 pallate nga ajo çka inxhinierët kanë parë sot (të premten)”.
Zoti Bejko tha se një pjesë e dëmtimeve kanë ardhur si pasojë edhe të tërmetit të datës 21 shtator. Ndërkohë problem serioz duket edhe gjendja e një shkolle në Pezë, e cila do të shembet pasi është e pasigurt.
Bilanc për dëmet paraprake raportoi sot Kryeministri Rama gjatë mbledhjes së qeverisë, por ai nuk satkësoi se sa prej ndërtesave të dëmtuara ishin të pabanueshme:
“Në Tiranë 1192 banesa që kanë dëmtime serioze dhe tani 265 pallate kërkojnë vlerësim. 8 shkolla të dëmtuara, një qendër shëndetësorë”.