Viktimat e dhunës në familje sipas ligjit hyjnë në kategorinë e personave, të cilët kanë prioritet për të përfituar nga programet vendore të strehimit në vend.
Në fakt, nevoja më jetike, qoftë për viktimat e trafikimit apo ato të dhunës në familje, raportohet të jetë pikërisht strehimi.
Megjithatë, mënyra se si kjo kategori do të favorizohet, për t’i mundësuar këtë të drejtë, është lënë në dorë të qeverisjes vendore ose më saktë, Këshillave Bashkiak.
Sipas Lëvizjes për Strehim, kriteret e miratuara për bashkinë Tiranë nuk marrin parasysh kushtet e veçanta në të cilat këto gra ndodhen. Qasja e aplikuar është ajo e “një-prerje-për-të-gjithë”, pa iu përshtatur nevojave që grave me urdhër mbrojtje iu imponojnë rrethanat ku gjenden.
Lëvizjes për Strehim, udhëhequr nga aktiviztja Ina Kasimati, po zbaton aktualisht projektin “Advokim, studim, monitorim i politikave/buxhetit të Bashkisë së Tiranës në lidhje me strehimin social (bonus qeraje/kredi të buta) për gratë e divorcuara/prind i vetëm/me urdher mbrojtje”, mbështetur nga projekti Lëviz Albania, i financuar nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Sipas një raporti që Lëvizja ka prodhur, mes viteve 2016 dhe 2020 nga programet e bonusit të qerasë – që është programi më i arritshëm – kanë mundur të përfitojnë stehim vetëm 20 gra me urdhër mbrojtje, prej 22 aplikimeve gjithsej.
Në përputhje me gjetjet e mëparshme mbi numrin e ulët të aplikimeve për strehim për shkak të mungesës së informacionit, edhe përfitimi i strehimit për këtë kategori bie ndesh me numrin e urdhrave të mbrojtjes, i cili ka qënë në rritje sidomos në bashkinë Tiranë.
Referuar edhe shkallës së lartë të miratimit të aplikimeve, si dhe kushteve të emergjencës në të cilat gratë viktima të dhunës apo të trafikimit gjenden, Lëvizja për Strehim ka kërkuar miratim të menjëhershëm të bonusit të qerasë për to.
Kjo vlerësohet si një lëvizje e domosdoshme madje për të inkurajuar gratë që të denoncojnë dhunuesit dhe të kërkojnë urdhër mbrojtje. Mungesa e strehimit dhe mjeteve financiare perceptohet si një pengesë e pakapërcyeshme për t’i shpëtuar abuzimit prej shumë grave.
Njësoj si kategoritë e tjera, gratë me urdhër mbrojtje duhet të sigurojnë dhjetra dokumente që vërtetojnë, përtej çdo dyshimi, gjendjen e tyre ekonomike. Ato duhet të gjejnë një pronar social të gatshëm që të nënshkruajë një kontratë qeraje, mes të tjerash.
Por, mund të ndodh edhe, si në rastet e vlerësuara nga klinika ligjore e Universitetit të Shkodrës, që adminsitrata lokale t’u caktojë atyre kritere, të cilat as nuk parashikohen me ligj.
Në këtë aspekt, në bashkinë Tiranë duket se mungon angazhimi për zgjidhjen afatëgjatë të stehimit të grave të dhunuara, paçka se në Plani Social për Bashkinë e Tiranës 2018-2020 identifikon si “një nevojë të fortë zhvillimin e shërbimeve shoqërore për gratë në nevojë, sidomos viktima të dhunës dhe gratë kryefamiljare”.
Cdo gje duket mirë në letër, por pas marrjes së urdhrit të mbrojtjes gratë përfitojnë vetëm një ndihmë financiare prej 3000 lekësh të reja dhe u ofrohet strehim i përkohshëm nga 2 qendra rezidenciale.
Por “delegimi” i përgjegjësisë në strehëzat e menaxhuara nga organizata joqeveritare, të cilave u mungojnë kapacitetet, nw praktikë nuk funksionon dhe nuk është zgjidhje.
Kasimati kërkon që bashkia e kryeqytetit të jetë e aftë të ofrojë një paketë bazë shërbimesh për gratë me urdhër mbrojtje dhe njëkohësisht, që ky urdhër të jetë kriteri kryesor për përfitimin e bonusit të qerasë, duke eleminuar proçedura të tepërta, të shtrenjta dhe dekurajuese.