Bashkia Tiranë paracakton fituesin e tenderit për rindërtimin e Piramidës

Nga Exit News
Bashkia Tiranë paracakton fituesin e tenderit për rindërtimin e Piramidës

Bashkia Tiranë hapi, më 4 gusht, tenderin për rindërtimin e Piramidës për ta kthyer atë në një qendër edukimi teknologjik për të rinjtë, sipas një projekti të realizuar nga kompania Wini Maas.

Vlera e punimeve që do të kontraktohen është rreth €14 milionë, dhe kompanitë e interesuara kanë patur afat deri më 2 shtator për të dorëzuar ofertat.

Ky afat ka kaluar por nuk ka ende asnjë informacion publik rreth pjesëmarrjes në tender.

Open Data Albania ka botuar kriteret e kualifikimit dhe vlerësimit të ofertave,  të hartuara nga Bashkia Tiranë.

Një shqyrtim i shpejtë i tyre tregon se kriteret përzgjedhëse janë subjektive dhe kufizojnë konkurencën, çfarë mund të favorizojë kompani të caktuara.

Bashkia Tiranë kërkon që kompanitë konkuruese të kenë kryer më parë një punë të ngjashme me kosto sa 50 përqind e fondit për ndërtimin e piramidës, pra rreth €7 milionë, ose të ketë kryer në tre vitet e fundit punë të ngjashme me vlerë të përgjithshme prej €27 milionë.

Kriteri “punë të ngjashme” nuk është përcaktuar në termat e referencës dhe i lihet gjykimit subjektiv të vlerësuesve.

Nëse “projekte të ngjashme” do intepretohej si objekte social-kulturore, atëhere një objekt me vlerë të paktën €7 milionë euro, vitin e fundit, ose disa objekte me vlerë totale €27 milionë, në 3 vitet e fundit, në tender mund të garojnë vetëm kompanitë që kanë ndërtuar Stadiumin Air Albania, Parkun Olimpik, rindërtuar  Teatrin e Operës dhe Baletit si dhe Teatrin Art Turbina.

Kjo do të thotë se kompanitë që mund të marrin janë vetëm tre: Albstar, ndërtuesja e Stadiumit Air Albania me vlerë rreth €50 milionë; Agikons, kompania që ka rindërtuar Teatrin e Operës dhe Baletit me kosto €12 milionë dhe Eurocol ndërtuese e Parkut Olimpik me vlerë €10 milionë.

Përveç këtyre dy kritereve, kompania fituese duhet të ketë pasur të paktën 200 punonjës gjatë vitit të fundit, të vërtetuar nga deklarimet e tyre tatimore.

Ky është një tjetër kriter kufizues dhe i paqartë se pse është gjykuar i domosdoshëm. Duhet patur parasysh se shumë kompani ndërtuese nënkontraktojnë shumë punime dhe janë shumë pak kompani që mund të mbajnë të punësuar direkt në borderotë e tyre 200 persona.

Nga një vështrim i shpejtë, është e sigurt që Albstar e plotëson këtë kriter, por duket se Agikons dhe Eurocol nuk e plotësojnë.

Nëse ku informacion është i saktë, atëhere fitues automatik i tenderit duhet të jetë Albstar apo çdo bashkim kompanish ku bën pjesë Albstar.

Bashkia Tiranë nuk ka bërë të ditur ende kompanitë që kanë bërë oferta, por nëse Albstar është një prej tyre, kriteret paraprake të vlerësimit të tenderit e nxjerrin atë automatikisht fituese.

Për të lexuar më shumë për rindërtimin e Piramidës, lexoni këtu.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme