Bashkia Tiranë dhe Instituti i Ndërtimit kanë dështuar të përgjigjen ndaj kërkesave për informacion të paraqitura nga Exit dhe Citizens Channel, si në dhënien e përgjigjeve të pjesshme, ashtu edhe në lidhje me afatin e përcaktuar me ligj.
Muajin e kaluar, Citizens Channel zbuloi se Bashkia po planifikonte shkatërrimin e ndërtesës së ish-Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), e njohur ndryshe si pallati 7-katësh. Ndërtesa ishte projektuar nga arkitekti i njohur Maks Velo në vitin 1976 dhe mban statusin Monument Kulture i kategorisë II.
E ndodhur në Bulevardin e Ri në Tiranë, Bashkia ka marrë miratimin nga Instituti i Ndërtimit për të vijuar me prishjen. Instituti pretendon se godina është dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, megjithëse inxhinieri i cili ka punuar në ndërtimin e saj thotë se është në gjendje të mirë.U raportua po ashtu se ekspertë të huaj që e inspektuan ndërtesën pas tërmetit, thanë se është e sigurt.
Dokumentet tregojnë se ndërtesa është pjesë e një tenderi prej 30 Milionë eurosh dhe është përfshirë në një listë prej 14 objektesh arsimore të cilat do të ndërtohen në Tiranë si pjesë e planit të rindërtimit. Problemi është se ndërtesa nuk do të përdoret si një objekt arsimor. Sipas planit të projektimit, do të ndërtohet një strukturë për zyrat e administratës publike.
Pas analizës së dokumenteve në lidhje me prishjen e ndërtesës, Exit i dërgoi një numër pyetjesh Bashkisë dhe Institutit të Ndërtimit.
Bashkia jo vetëm që ishte vonë në përgjigjet e saj, por ata iu përgjigjën vetëm njërës nga 12 pyetjet. Instituti i Ndërtimit nuk ktheu përgjigje. Asnjë institucion nuk kërkoi më shumë kohë nga koha e përcaktuar për të përpiluar përgjigjet e tyre.
Pyetjet përfshinin informacione mbi vendimin e shembjes së ndërtesës, planet për projektin e ri, vlerën e saj dhe kush do ta financojë. Exit gjithashtu vuri në pikëpyetje se pse Bashkia kishte investuar në restaurimin e fasadës së njërës prej ndërtesave ngjitur, aktualisht e marrë me qira nga Destil, por jo në anën tjetër, aktualisht pronë e një qytetari.
Banorët kanë frikë se prishja e ndërtesës së Maks Velos do të përfshijë po ashtu edhe një ndërtesë në të majtë të saj, për t’i hapur rrugën një kulle 30 katëshe. Në fakt, besohet se projekti në fjalë do të mbulojë një hapësirë deri në 2000 metra katrorë, por projekti ATSH mbulon vetëm 225 metra katrorë, duke rritur frikën se prona të tjera përreth do të shkatërrohen po ashtu.
Exit ngriti po ashtu pyetje se si vendimi i Këshillit të Bashkisë për prishjen e ndërtesës datoi në Nëntor 2020, megjithatë dokumentet e prokurimit për projektin e ri datojnë në mars dhe gusht 2019, plot tetë muaj para tërmetit që supozohet se e ka bërë ndërtesën të pasigurt.
Një pyetje tjetër e shtruar ndaj Bashkisë kishte të bënte me tarifën 7000 Euro, të paguar për analiza, dizajn dhe planifikim. Ekspertët në këtë sektor deklaruan se kjo duket një tarifë shumë e ulët për një projekt të këtij lloji.
Ata gjithashtu nuk arritën të sqarojnë apo të japin detaje të vlerësimeve të sigurisë për të konstatuar ndikimin e prishjes së ndërtesave në të dyja anët e ATSH-së.
Pyetja ndaj së cilës u përgjigj Bashkia kishte lidhje me një punonjëse të quajtur Alma Ristani. Një nga dokumentet e prokurimit në Marsi 2020 mban emrin e saj, megjithëse sipas përgjigjes së kërkesës për informacion, Ristani nuk ishte e punësuar në Bashki deri më 1 prill 2020. Para këtij roli, ajo ishte “specialiste në sektorin e energji-telekomunikimit në Drejtorinë e Rrjeteve, Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike”.
Nuk është e qartë se si emri i saj u shfaq në një dokument të Bashkisë në një periudhë para se të punësohej atje.
Në dy kërkesat për informacion të ndara, Citizens Channel i dërgoi pyetje Bashkisë dhe Institutit të Ndërtimit. Bashkia dështoi të përgjigjej brenda afatit kohor të përcaktuar ligjërisht dhe nuk kërkoi zgjatje të afatit kohor.
Instituti për Ndërtim u përgjigj duke i veshur përgjegjësinë Bashkisë, duke deklaruar se ata nuk posedonin dokumentet, pavarësisht faktit se ato ishin nën përgjegjësinë e tyre.
*Ky është një investigim i kryer në bashkëpunim midis Exit.al dhe Citizens Channel