Bashkia Tiranë shmang përballjen televizive me banorët e Unazës së Re

Nga Stafi i Exit
Bashkia Tiranë shmang përballjen televizive me banorët e Unazës së Re

Bashkia Tiranë shmangu mbrëmjen e së enjtes përballjen në Top-Channel me banorët e Unazës së Re. Nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku nuk u paraqit në studion e emisionit Open të Eni Vasilit për të marrë pjesë në diskutimin rreth projektit të zgjerimit të Unazës së Re që do të shembë qindra shtëpi. Ndërkohë sot Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vazhdoi aksionin e shembjes së dy ndërtesave të tjera nga 33 që u prishën të martën.

Sipas Top-Channel Zoti Mazniku e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në emission, por në momentet e fundit nuk është paraqitur duke lënë të mendohet se prania e banorëve të zonës në studio mund të jetë bërë shkak i tërheqjes.

Ditët e fundit Zoti Mazniku ka qenë në disa studio televizive për të mbrojtur projektin e zgjerimit të Unazës së Re. Në mesjavë, në emisionin Real-Story të Sokol Ballës ai këmbënguli se shembjet në Unazën e Re ishin të justifikuara dhe se një pjesë e banorëve po dëmshpërbleheshin dhe pjesa tjetër po merr bonus të qirasë.

Në fakt ky pretendim i tillë është pjesë e propagandës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili prej kohësh keqinformon se banorët janë dëmshpërblyer ose janë bërë pjesë e projekteve për të ndërtuar pallate.

Banorët e Unazës së Re përballë drejtueses së emisionit Open Eni Vasili të enjten.

Shembjet e ndërtesave në Unazën e Re nisën të martën vetëm për Lotin 1, që përfshin zonat përreth Sheshit Shqiponja. IKMT shembi rreth 33 ndërtesa. Ditën e sotme aksioni vazhdoi edhe me dy ndërtesa të tjera.

Dy lotet e tjera, nga ura e Lanës deri te Astiri dhe nga Astiri deri te pallati me shigjeta janë ende të bllokuara për shkak të ankesave në tenderat e mbikëqyrjes së punimeve dhe denoncimeve në prokurori për dyshime për korrupsion.

Në total janë rreth 250 ndërtesa që do të prishen, ku mbi 100 janë ndërtesa që nuk do të përfitojnë dëmshpërblim. Për këtë fakt dhe për çmimin e ulët të dëmshpërblimit banorët kanë protestuar që prej një viti.

Për gjatë gjithë kësaj kohe, qeveria dhe Bashkia Tiranë u janë shmangur diskutimeve direkte me banorët. Rasti më i fundit është shembulli më i dukshëm.

Në emisionin e Eni Vasilit mungesa e prezencës së nënkryetarit Mazniku u konsiderua nga opozita si shmangje nga përballja me qytetarët. Demokratët Jamarbër Malltezi dhe Klevis Balliu theksuan se Bashkia dhe qeveria “kanë frikë të vijnë në studio”, ndërsa pedagogu Ervin Goci tha se “përballja me qytetarët është detyrë e pushtetarëve të zgjedhur”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>