Bashkia tender €61 milionë për Kombinatin, kompanitë afat vetëm 11 ditë për aplikim

Nga Exit News
Bashkia tender €61 milionë për Kombinatin, kompanitë afat vetëm 11 ditë për aplikim

Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin me vlerë 61,1 milionë eurosh për rindërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmteti në zonën e Kombinatit.

Tenderi është hapur në 1 tetor dhe të gjitha kompanitë e interesuara, të huaja apo vendase, kanë afat deri në 12 tetor për të paraqitur dokumentet. Kompania fituese duhet të hartojë si projektin e zbatimit, ashtu dhe rindërtimin e godinave e një sërë procerash të tjera.

Pra bashkia po organizon një tender prej 61,1 milionë eurosh dhe i lë kohë vetëm 11 ditë kompanive për të aplikuar, një periudhë kohore shumë e shkurtër për të plotësuar dokumentacionin, veçanërisht për kompanitë e huaja.

Ndër të tjera tenderi po bëhet me procedurë të kufizuar dhe jo me tender të hapur. Kjo do të thotë se shumë kompani mund të shfaqin interes për të qenë pjesë e projektit dhe më pas ato negociojnë direkt me bashkinë për çmimet dhe objektet që do të ndërtojnë.

Sipas AIS, promotor i databazës Open Procurement Albania, me përzgjedhjen e kësaj procedure bashkia ka anashkaluar Ligjin për Prokurime Publike dhe duke vendosur afate dhe modalitete sipas Aktit Normativ me Fuqinë e Ligjit Nr9,  Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore. 

Siç Exit News ka shkruar më parë, një pjesë e lagjes Kombinat në Tiranë do të pastrohet nga ndërtimet e tanishme për të ndërtuar një lagje të re të quajtur KombinArt. Të paktën 50 ndërtesa, pallate pak katëshe të ndërtuara në kohën e regjimit komunist, do të shemben.

Në truallin e liruar do të ndërtohen ndërtesa 4-5 katëshe me sipërfaqe totale ndërtimi rreth 1,5 milionë metra katrorë ku do të mund të strehohen mbi 21 mijë banorë, një qendër tregtare e tipit të Pazarit të Ri, dy muze dhe Universiteti i Arkitekturës.

Të parat në ndërtimet e reja do të strehohen rreth 2292 familje që jetonin në Kombinat, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Ky grup familjesh do të zërë vetëm një të tretën e totalit të apartamenteve. Ndërsa pjesa tjetër do të shiten tek qytetarët e tjerë. Ende nuk janë bërë publike detajet e kësaj pjese, si do të shiten apartamentet dhe cili institucion apo kompani do ta menaxhojë këtë pjesë.

Projekti është prezantuar në korrik nga Kryeministri Rama, kryebashkiaku Veliaj dhe arkitekti Marko Casamonti.

Gjatë prezantimit, Rama, Veliaj dhe Casamonti theksuar se lagjia do të rindërtohej pasi është dëmtuar rëndë nga tërmeti. Por në fakt ky projekt ishte planifikuar në 2018 në masterplanin “TR2030” si një nga 5 lagjet e reja të Tiranës.

Çfarë parashikon masterplani dhe dokumenti strategjik i Bashkisë Tiranë:

Zona e Kombinatit është një ndër pesë projektet e parashikuara në Masterplanin Tirana 2030 për rizhvillim, sëbashku me  Farkën, Kamzën, Laprakën, dhe Misto Mamem.

Dokumenti strategjik i Bashkisë Tiranë, për vitin 2019-2022 parashikon krijimin e “Polit të Kombinatit”, ku do të përfshihet “BID Kombinat, një partneritet publik privat për një mjedis fizik të përmirësuar dhe më shumë mundësi biznesi (modeli Pazari Ri)”.

Masterplani specifikon se bashkia do të tenderojë zhvillimin e zonës dhe kompanitë private mund të përfitojnë bonuse ndërtimi, në varësi të cilësisë së projektit të paraqitur.

Rizhvillimi i pallateve të vjetra apo shtëpive private do kryhet falë një bashkëpunimi mes bashkisë dhe ndërtuesve. Do të jetë bashkia që do krijojë kushtet për lehtësimin e kalimit të pronës nga banorët e vjetër te ndërtuesit.

Dhe mungesa e mekanizmave të domosdoshëm të kontrollit nga bashkia lë hapësirë për abuzime.

Për të lexuar më shumë për këtë projekt, klikoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>