Bashkia Tiranë vazhdon t’i falë tokë publike kompanive private

Nga Exit News
Bashkia Tiranë vazhdon t’i falë tokë publike kompanive private

Bashkia Tiranë i ka falur katër prona publike në zonën e ish-Parkut të Industrisë, kompanisë private Milo 2000 shpk, për të ndërtuar një godinë private.

Në shkëmbim, bashkia do të përfitojë 40 për qind të sipërfaqes së ndërtesës.

Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, katër pronat që bashkia i dhuron kompanisë kanë sipërfaqe totale prej 1075,25 metrash katrorë. Prej kësaj toke, kompania Milo 2000 do të përdorë 271,56 metra katrorë për ndërtim dhe 75 metra katrorë në një pronë ngjitur, të cilën vetë kompania e zotëron.

Kompania Milo 2000 shpk është themeluar në vitin 2000 dhe është në pronësi të Olsi Milos.

Kjo është kontrata e tretë që Bashkia Tiranë bën me subjekte private, të cilave i dhuron toka publike në këmbim për qindjeve në ndërtim.

Më parë, bashkia i ka dhuruar 1363,5 metër katror tokë publike në Rrugën e Kavajës kompanisë private Startek për të ndërtuar një godinë banimi dhe shërbimesh.

Ndërsa kompanisë Arlis-Ndërtim, bashkia i ka falur 6399.7 metër katrorë tokë publike në zonën e ish-Uzinës Mekanike në Tiranë.

Që prej marsit 2018, kur bashkia miratoi vendimin “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”, Bashkia Tiranë mund t’i falë kompanive private pronat publike në këmbim të disa ambienteve apo shërbimeve ndaj bashkisë.

Ky vendim i hap rrugën tjetërsimit  të pronave publike në favor të ndërtuesve, përmes kontratave dhe mekanizmave korruptive dhe klienteliste, duke e kthyer Bashkinë Tiranë praktikisht në institucion sekser tokash dhe ndërtimesh.

Dhurimi i tokës publike kompanisë Startek është dëshmi e këtij fakti, që verteton paralajmërimin e Exit News se Bashkia Tiranë do të kthehej në seksere ndërtimesh.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme