Bashkia Vlorë ka vendosur mbylljen prej 15 prillit të një prej 3 tregjeve të fruta-perimeve, të njohur si tregu i orizit.
Ky vendim, i marrë pa lajmëruar tregtarët, i ka revoltuar këta të fundit, të cilët protestuan para bashkisë.
Vendimi për mbylljen u mor pas inspektimit të Autoritetit të Kontrollit Ushqimor, i cili gjeti probleme me kushtet e higjenes.
Tregtarët shprehen se kanë shumë produkte të cilat do të prishen dhe do t’i shkaktojnë dëme financiare tregtarëve. Ata i kërkojnë bashkisë rihapjen e tregut dhe marrjen e masave për të ruajtuar distancën mes qyteterëve dhe dezinfektimin e tregut, siç është vepruar në qytete të tjera.
Një prej tregtarëve u shpreh se mbyllja e tregut nuk është zgjidhje për të parandaluar përhapjen e Covid-19, pasi më shumë qytetarë do të dynden në tregjet e tjera.
Sipas tij, vetëm marrja e masave për distancat mes qytetarëve dhe dezinfektimi i shpeshtë i tregut është mënyra e duhur për të vazhduar punën pa vënë në rrezik jetën e shitësve dhe qytetarëve.
Deri më 15 prill në Vlorë ka vetëm 5 raste me Covid-19 dhe prej javësh nuk janë zbuluar të infektuar të rinj.