Bashkimi Europian i ka lënë afat deri të martën Hungarisë dhe Polonisë për të heqjen e vetos ndaj projekt buxhetit të BE-së.
Lajmin e bëri të ditur një diplomat i BE të hënën për Reuters.
“Ne duhet të kemi një marrëveshje nga Hungaria dhe Polonia deri sot ose më së voni nesër. Nëse nuk e bëjmë këtë, do të duhet të kalojmë në skenarin B”, tha diplomati i BE për Reuters.
Udhëheqësit hungarezë dhe polakë, kanë këmbëngulur se ata nuk do të heqin veton e tyre nëse nuk hiqet kushtëzimi i sundimit të ligjit për marrjen e fondeve nga BE.
Komisioni Europian mund të arrijë në janar një zgjidhje bazuar në legjislacionin e BE-së.
Opsionet që po merren në konsideratë përfshijnë bashkëpunimin e zgjeruar midis vendeve anëtare ose një sistem garancish kombëtare për të mbështetur huazimin prej 750 miliardë euro për fondin.
Kjo do të prekte të gjitha vendet e BE-së, përfshirë dhe Poloninë e Hungarinë, pasi të dyja janë përfituese të mëdha të fondeve të BE-së.
Zyrtarët nuk pranuan të hyjnë në detaje dhe nuk sqaruan se çfarë do të ndodhte me Hungarinë dhe Poloninë sa i përket fondit të rimëkëmbjes.
Në 10 dhe 11 Dhjetor pritet të dalë vetoja e tyre. Në këto data do të mbahet samiti i BE, ku do të diskutohet për përgjigjen ndaj pandemisë, marrëdhëniet me Turqinë dhe SHBA, klimën dhe marrëdhëniet e ardhshme me Mbretërinë e Bashkuar.