Liderët e Bashkimit Europian kanë rënë dakord, pas pesë ditësh bisedimesh, për paketën e rimëkëmbjes për Covid-19.
Paketa prej 750 miliardë euro do t’i jepet vendeve më të prekura nga pandemia në formë grantesh dhe kredish: 390 miliardë euro nga paketa e ndihmës do të ndahen në formë grantesh dhe 360 miliardë euro në formë kredie.
Ajo do të sigurojë qindra miliarda euro në grante dhe kredi për vendet anëtare, veçanërisht ato më të prekurat.
Paketa do të përqendrohet në sigurimin e fondeve në tre shtylla:
- krijimin e reformave për të ndihmuar bizneset të rimëkëmben nga pandemia,
- marrjen e masa të reja për të reformuar ekonomitë nga ngarkesa të tilla si e pandemisë që zgjasin në kohë,
- investimin për të ndihmuar në strategji në mbrojtjen nga “krizat e ardhshme”.
Kjo paketë është një rishikim i propozimit fillestar për 500 miliardë euro grante dhe po ashtu kompromis midis Austrisë, Holandës, Danimarkës dhe Suedisë, që i kundërshtuan pagesat si grante, dhe Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës – tri shtetet e fundit janë ndër më të goditurat nga koronavirusi në Evropë, të cilët nuk pranonin të merrnin kredi.
Një tjetër pengesë për arritjen e marrëveshjes u eleminua kur Polonia dhe Hungaria ranë dakord me përfshirjen e një mekanizmi që lidh pagesën e fondeve të BE-së me sundimin e ligjit – kërkesë nga vendet e tjera të BE-së.
Vendet e BE-së po ashtu ranë dakord për një buxhet prej 1.1 trilion eurosh, për shtatë vjetët e ardhshëm.
Mëngjesin e së martës presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, shkroi në Twitter: “Marrëveshje”.
Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi:
“Sot kemi ndërmarrë një hap historik, me të cilin të gjithë mund të jemi krenarë. Por, mbeten hapa të tjerë të rëndësishëm. I pari dhe më i rëndësishmi është të fitojmë mbështetjen e Parlamentit Evropian.”