BE do të autorizojë prodhimin masiv, brenda bllokut, të tre barnave të ndryshme antiCovid, me potencial për të frenuar pandeminë.
Komisioni Europian planifikon që në tetor të nisë përdorimi i tyre, sipas një raportimi të The Guardian.
Lajmi u konfirmua nga Stella Kyriakides, Komisionere për Shëndetin, e cila tha se barnat e reja do të zvogëlojnë shtrimet në spital dhe do të ndihmojnë në kontrollin afatgjatë të virusit.
BE ka vënë 90 milion € në dispozicion për provat klinike dhe 40 milion € të tjera do t’u jepen prodhuesve për të rritur prodhimin.
Deri në fund të vitit shpresohet në autorizimin e 5 llojeve të ndryshme barnash, që do të zgjidhen nga një listë prej 57 kandidatësh të hartuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
EMA aktualisht po shqyrton tre ilaçe që luftojnë Covid-19: kombinimi i antitrupave Regeneron, antitrupi monoklonal Celltrion dhe antitrupat monoklonalë nga Eli Lilly.
Të tre kanë dhënë prova se ndikojnë në zvogëlimin e rrezikut të shtrimit në spital dhe vdekjes me 87%.
Ndonëse ende nuk ka dal vendimi në lidhje me Regeneron dhe Celltrion, vendet anëtare mund t’i përdorin në pacientë, që nuk kërkojnë oksigjen, por rrezikojnë të përparojnë në gjendje të rëndë.
Një ilaç i katërt, Sotrovimab, nga GlaxoSmithKline, gjithashtu pritet të shqyrtohet në ditët në vijim nga Agjensia Europiane e Barnave.