Bashkimi Evropia reagoi për publikimin e hartës së Kosovës me flamurin e Serbisë nga ana e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, në Instagram, të premten.
E pyetur nga Klan Kosova rreth çështjes së hartës së publikuar nga Aleksandar Vuçiqç, BE u përgjigjë se:
”BE-ja gjithmonë u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Serbi, Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata që krijojnë dhe promovojnë një atmosferë të favorshme për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin, dhe jo e kundërta”.
BE u shpreh se Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që nuk shërbejnë për normalizim të marrëdhënieve.
”Siç kemi thënë shumë herë gjatë viteve, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe punën për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
Presidenti Vuçiç edne nuk ka komentuar mbi publikimin e tij. Ndërkohë ky postim u kritikua nga:
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku:
“Kjo nuk është llogari parodie. Kjo është llogaria zyrtare e presidentit të Serbisë. Harta më poshtë është e Kosovës. Ky është agresion verbal serioz dhe duhet të dënohet si i tillë”.
Ish-kryenegociatorja për bisedime teknike në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri:
“Serbia e Vuçiqit ka dalë me provokime të reja kundër Kosovës, duke treguar mendimin e tij hegjemonik. Një herë në dialogun në Bruksel kur ai provokoi në mënyrë të ngjashme, unë iu përgjigja duke i thënë, ‘duket se të mungojnë bombardimet e NATO-s’. Po ia them sërish!”.
Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Armend Muja:
“Veprimet e tij në të kaluarën, që nga mohimi i masakrës së Reçakut, projekti i mini-Shengenit dhe mbështetja për partitë e rendit të vjetër kishin një qëllim të vetëm – rikthimin e Kosovës dhe Malit të Zi në orbitën e dominimit serb. Vuçiq është Milosheviq me buzëqeshje – qëllime të njejta, taktika të ndryshme”.
Ministri shqiptar i Diasporës, Pandeli Majko:
“Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb t’i ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europiane nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në instagram!”.