Nëpërmjet një deklarate zyrtare ditën e hënë, Bashkimi Europian njoftoi se do të dhurojë 38 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Shqipëria do të përfitojë 4 milionë euro për të parandaluar përhapjen e virusit dhe 46,7 milionë euro ndihmë për përballimin e krizës ekonomike. Në total vendi jonë do të marrë nga BE 50,7 milionë euro ndihma. Ndër vendet e Ballkanit Shqipëria renditet e fundit për vlerën e ndihmës të dhënë nga BE.
Maqedonia e Veriut do të marrë 66 milionë euro, Bosnje Hercegovina 80,5 milionë, Mali i Zi 53 milionë dhe Kosova 68 milionë. Serbia do të marrë më shumë se çdo vend tjetër 93,4 milionë. Fondet do të përdoren për të mbuluar nevojat e sistemit shëndetësor dhe përballuar krizën financare.
140 milionë të tjera do të shkojnë për Armeninë, Azerbajxhanin, Moldavinë dhe Ukrainën.
Ky veprim erdhi pas akuzave se Brukseli se nuk po bënte mjaftueshëm për të ndihmuar vendet jashtë BE-së, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaroi se “Këto kohë janë të vështira jo vetëm për BE-në por edhe për vendet partnere. Ne jemi duke bërë të pamundurën për të pakësuar ndikimin e shpërthimit të koronavirusit në jetën e qytetarëve.“
Kjo lëvizje vjen pasi BE më herët, ndaloi eksportet të mjeteve mbrojtëse drejt vendeve jashtë saj.